GazetaMax
Lajme

Senatorët amerikanë të shqetësuar me ndikimin kinez në Ballkan

Shkup, 20 Prill – Senatorja demokrate nga Shtetet e Bashkuara, Jeanne Shaheen, dhe dy anëtarë të tjerë të Komitetit për Punë të Jashtme, vizituan më 20 prill Sarajevën. Nga Bosnjë e Hercegovina ajo tha se ishte e “shqetësuar me atë që vjen me përpjekjet kineze” dhe se “shtetet duhet të kuptojnë që investimet kineze, të tilla si ato në infrastrukturë, nuk vijnë pa kosto shtesë”

“Kam biseduar për këtë çështje me përfaqësuesit e shteteve në mbarë botën, përfshirë edhe shtetet evropiane ku kompanitë kineze bëjnë biznes. Kina nuk ofron projekte infrastrukturore vetëm me kërkesë të shteteve, por e bën këtë për interesat kineze”, tha Shaheen teksa foli për ndikimin kinez në Bosnjë e Hercegovinë dhe në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ajo shtoi se “Kina shpesh kontrakton punëtorë kinezë dhe nuk përfshin punëtorë lokalë në [projekte] dhe shpesh shton koston e projekteve, që paraqesin sfidë për shtetet”.

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Thom Tillis dhe Chris Murphy vizituan Bosnjën, një ditë pasi qëndruan në Serbi. Më 21 prill ata do të vizitojnë Kosovën.

Senatori Tillis shtoi se “ka po ashtu investime kineze në Shtetet e Bashkuara, por çdo shtet duhet të sigurohet që të mos varet shumë nga një shtet tjetër”.

“Ne e pamë këtë gjatë pandemisë COVID-19. Kishte shumë probleme në zinxhirin tonë furnizues dhe ishte e qartë se kishte shumë varësi nga Kina në SHBA, më shumë se sa duhej. Çdo shtet duhet të shikojë se si ndërton raportet me një shtet tjetër, qoftë të bashkëpunimit ushtarak, ekonomik apo të tjera”, tha Tillis.

Duke folur pas takimit me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhejlko Komshiq, Shaheen tha se kanë theksuar rëndësinë e raporteve SHBA-Bosnjë, si dhe mbështetjen e të dy partive amerikane për këtë shtet.

“Ne diskutuam për stabilitetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe për aspiratat e qytetarëve të saj drejt një shteti multietnik që insiston në mbajtjen përgjegjës të zyrtarëve të zgjedhur, të cilët duhet të punojnë së bashku për të përmbushur pritjet e qytetarëve”, tha Shaheen.

Senatori Murphy tha se shumë në SHBA janë të shqetësuar kur dëgjojnë për “rrëzimin e institucioneve shtetërore”.

Entiteti i Republikës Sërpska që disa muaj ka njoftuar se do të transferojë kompetencat shtetërore tek entiteti, përfshirë kompetencat e mbrojtjes, sigurisë, drejtësisë dhe të tjera. Transferimi i këtyre kompetencave nuk lejohet në bazë të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës.

Senatorët amerikanë porositën se ky është “moment kyç për Bosnjë e Hercegovinën” dhe se SHBA-ja duhet të ndihmojë në mënyrë që ky shtet të ketë institucione të qëndrueshme shtetërore dhe entitete të forta.

Ndërkaq, Presidenca e Bosnjë e Hercegovinë shprehu mirënjohjen për mbështetjen e SHBA-së gjatë takimit me senatorët amerikan.

Related posts

Puna e komisioneve dhe mungesa e opozitës si tema diskutimi në raundin e katërt të Zhan Monesë

Gazetamax.mk

77% e përdoruesve nuk e njohin procedurën e reklamimit pranë operatorit postar

Gazetamax.mk

“Viz er”, “Lufthanza” dhe “Ejxhian” me oferta në tenderin për subvencione për fluturime të reja

Gazetamax.mk