GazetaMax
Lajme

Serbia paralajmëron eksporte të grurit në Ballkanin Perëndimor

Sasi të grurit dhe misrit do të eksportohen në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, paralajmëroi të martën Ministria e Bujqësisë e Serbisë, përkundër ndalesës së vendosur ditë më parë.

Njoftimi u bë pas një takimi që zhvilluan në Beograd ministri i Bujqësisë i Serbisë, Branisllav Nedimoviq, dhe ministrja e Bujqësisë e Shqipërisë, Frida Krifca.

Në komunikatën për media thuhet se vendet e nismës “Ballkani i Hapur”, si dhe vendet e tjera fqinje, “mund të llogarisin te Serbia si një partner i besueshëm, në kohën e sfidave të mëdha në sektorin ushqimor”.

Përfaqësuesit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që përbëjnë nismën “Ballkani i Hapur”, kanë planifikuar të mbajnë një takim të ri në mes të marsit, por e kanë shtyrë atë për në maj, për shkak të, siç është thënë, luftës në Ukrainë.

Një ditë më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia do të lejojë eksportin e grurit të kontraktuar në Shqipëri sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shtoi se e njëjta gjë do të vlejë për çdo vend të rajonit.

“Serbia ka mjaft, e kjo do të thotë se ka mjaft edhe për vendet e rajonit”, tha Vuçiq.

Më 10 mars, Serbia ka pezulluar eksportet e grurit, miellit, misrit dhe vajit, për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar lufta në Ukrainë.

Serbia është vendi kryesor nga ku Kosova importon grurë dhe miell.

Gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Doganat e Kosovës nëse në Kosovë ka hyrë miell e grurë nga Serbia, qëkur kjo e fundit ka vendosur ndalesën në eksporte më 10 mars, por është ende në pritje të përgjigjes./REL

Related posts

Fondacioni Zaev ndanë 5 bursa për mjek të ri për specializim

Gazetamax.mk

Flet arsimtari që akuzohet për dhunë ndaj nxënësit

Gazetamax.mk

ASH-ja nis fushatën “Ku janë librat?”

Gazetamax.mk