GazetaMax
Lajme

Të sëmurët me kancer kërkojnë t’u afrohen shërbimet

Ofrimi i një pjese të shërbimeve onkologjike edhe në spitalet rajonale të Kosovës po shihet si nevojë për lehtësimin e barrës së pacientëve që vuajnë nga sëmundje malinje. Ministri i Shëndetësisë ka shfaqur besimin se decentralizimi i disa shërbimeve onkologjike mund të realizohet sivjet, në Spitalin e Prizrenit dhe në atë të Pejës

Prej vitesh Violeta Pirana avokon për decentralizimin e një pjese të shërbimeve onkologjike nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) në spitalet rajonale.

Ajo thotë se pandemia COVID-19 ka dëshmuar më së miri se sa e nevojshme është që pacientëve t’u ofrohen më afër shërbime onkologjike.

Sipas saj, Klinika Onkologjike në QKUK është e ngufatur, meqë të gjithë pacientët detyrimisht i marrin shërbimet aty.

“Përveç kësaj që shkojnë pacientët për trajtim të terapisë në Klinikën Onkologjike, pacientët e tërë Kosovës shkojnë edhe të furnizohen me terapi tabletare në Klinikën Onkologjike, që kjo është shumë pa vend, sepse ne si pacientë e shohim shumë më të arsyeshme që çdokush ta marrë në vendin e vet ku është”, ka thënë Pirana, e cila është aktiviste në shoqatën “Renesansa”.

Ajo thotë se krahas terapisë tabletare, mund të ofrohen edhe shërbime të tjera në spitalet rajonale, prandaj konsideron se zbatimi i decentralizmit duhet të realizohet sa më shpejt.

“Ne kemi kërkuar edhe onkologun, me qenë onkologu këtu në regjion, sepse për vizita rutinë mos të shkohet në Prishtinë. Pacientët tanë i bëjnë të gjitha analizat në Prizren, dhe kjo vlen për të gjitha qendrat e tjera, dhe me ato analiza shkon te onkologu. Është shumë më e arsyeshme që një njeri t’u shërbejë njëqind pacientëve, sesa njëqind pacientë të frekuentojnë për një mjek atje”, ka thënë Pirana.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë një vizite që ia bëri Prizrenit ditë më parë, tha se deri në fund të vitit një pjesë të shërbimeve onkologjike pacientët do të mund t’i marrin në dy spitale rajonale.

“Pacientët nga zonat më të largëta në Republikën e Kosovës të mos kenë nevojë që të shkojnë në Prishtinë, por t’i marrin në qytetet e tyre. Dy spitale janë përmendur, që shpejt besoj, gjatë këtij viti, do të fillojnë me këto shërbime. Jo me të gjitha, natyrisht, por me një pjesë të mirë të këtyre shërbimeve, në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren dhe në Pejë”, ka thënë ministri Vitia.

Klinika e Onkologjisë në QKUK, sipas të dhënave të publikuara në uebfaqen e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, jep shërbime për 200 deri në 300 pacientë në ditë.

Related posts

Aksident i rëndë në autostradën Shkup – Tetovë, 4 të lënduar

Gazetamax.mk

Takim Francë – Ballkan për kontributin e autoriteteve lokale në procesin e integrimeve evropiane

Gazetamax.mk

Shtyhet seanca për rastin “Llaskarca”, mungoi inspektuesi Zekirija Zekiri

Gazetamax.mk