Trifunov braktis qeverinë, RMV një nga arsyet

Sofje, 8 Qershor – Kryetari i partisë bullgare “Ka popull të tillë”, Slavi Trifunov, tërheq ministrat nga qeveria. Tre ministra të ITN-së u larguan nga mbledhja e fundit e kabinetit, ndërsa i katërti nuk mori pjesë fare. Trifunov akuzoi kryeministrin se anashkalon institucionet.

“Po i jap fund këtij koalicioni dhe agonisë. Janë dy arsye pse ky koalicion nuk funksionon dhe pse ne nuk kemi vend në të – Maqedonia e Veriut dhe fakti që nuk ka më para në buxhet. Pavarësisht braktisjes së interesave kombëtare, ministrat e “Vazhdojmë ndryshimin” po na çojnë drejt falimentimit. Kryeministri Kiril Petkov ndjek një politikë të jashtme ndryshe nga ajo e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare.”, tha kryetari i “Ka një popull të tillë”, Slavi Trifunov.

Petkov: Vazhdojmë më qeveri të pakicës, s’lejoj shantazh

Kryeministri bullgar Kiril Petkov ka refuzuar kategorikisht t’i nënshtrohet shantazhit të Trifonovit. Njoftoi se do të udhëheqë një qeveri të pakicës në vend që “të lejojë që t’i lidhen duart”.

“Ne jemi gati për një qeveri të pakicës, por nuk do të shpenzojmë asnjë levë pa mbikëqyrje. Një qeveri e pakicës në këtë rast është më e mirë se një qeveri që përpiqet të mbledhë para shtesë, të ndalojë reformat legjislative dhe të ndalojë organizatën më të rëndësishme kundër korrupsionit, kur kemi një kandidat të tillë për ministër si Bojko Rashkov.”, tha kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.

Probleme në qeverinë bullgare, Kovaçevski: Është çështje e tyre e brendëshme

I pyetur se si e komenton largimin e partisë së Slavi Trifonovit nga qeveria në Bullgari për shkak të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Kovaçevski theksoi se kjo është një çështje e brendshme e vendit fqinj.

“Në çdo negociatë kërkesa minimale që ajo të jetë e  suksesshëm, është konfidencialiteti i palëve negociuese… Ne në asnjë moment nuk e instrumentalizuam çështjen e negociatave me Bullgarinë dhe anëtarësimin në BE, nuk e  politizuam në mënyrë të njëanshme, as si koalicion qeveritar nuk e kemi përdorur  për përfitim të brendshëm politik. Ndryshe nga pala tjetër, e cila e ka instrumentalizuar vazhdimisht këtë çështje.”, tha kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.

Kovacevski thotë se RMV vazhdon të jetë e hapur për të biseduar me ndërmjetësimin e presidencës së BE-së dhe KE-së.

Të fundit në përqindje