GazetaMax
Lajme

U promovua libri “Trashëgimia kulturore islame në Shkup”

Shkup, 26 janar – Sot, në mjediset e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve u promovua libri “Trashëgimia kulturore islame në Shkup” i autorëve Skender Asani dhe Nora Maliqi Zylali, që ka ardhur si botim në bashkëpunim me Myftininë e Shkupit.

Meqë kjo ngjarje përkoi me Natën e madhe të Reagibit, ajo filloi me një lexim të Kuranit, që u këndua nga Hfz. Xhemail Nuhiu, një ndër recituesit më të mirë të Kuranit jo vetëm në vendin tonë.

Pas tij, të pranishmit i përshëndeti drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asani, i cili përveç përshëndetjes, foli edhe për rëndësinë që ka ky libër me dokumente, sepse ai sjell të dhëna të rëndësishme për gjendjen e trashëgimisë kulturore shqiptare ndërmjet dy luftërave botërore. Ai bëri një retrospektivë të krejt gjendjes së kësaj trashëgimie, duke theksuar se ka pasur një plan të mirëmenduar dhe të planifikuar që, duke i rrënuar ato objektet e kultit islam, të shtyhej edhe projekti i shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Sipas tij, rrënimi i xhamisë Burmali më 1925 ishte bërë pikërisht për këtë arsye.

Pas tij fjalë përshëndetëse pati edhe Reis Ul-Ulemaja i Bashkësisë Fetare Islame, H. Shaqir ef. Fetahu, i cili pasi i përgëzoi autorët dhe Institutin, u ndal në rëndësinë historike që ka botimi i kësaj vepre për kulturën dhe shkencën albanologjike, por edhe për veprimtarinë e Bashkësisë Islame në vendin tonë.

Në cilësinë e referuesit, të pranishmëve iu drejtua edhe myftiu i Myftinisë së Shkupit, Dr Qenan Ismaili, i cili foli hollësisht për përmbajtjen e librit, duke e vënë theksin në objektet e veçanta, që sipas tij janë monumente të rëndësishme që e ndërtojnë mozaikun e plotë të trashëgimisë islame në Shkup.

Referuesi i dytë, njëherazi edhe recensent i kësaj vepre, Dr. Zeqirija Ibrahimi, foli për veprën dhe, mes tjerash tha se: “Meqë shqiptarët e Shkupit gati e kanë humbur lidhjen e tyre me mesjetën, kjo më shumë për faj të tyre sesa të të tjerëve, ndërsa rilidhja kërkon shumë punë e shumë investime, ka mbetur shtresa islame si dëshmi e autoktonisë dhe pranisë historike shqiptare në këtë qytet. Kjo është edhe arsyeja që Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup e boton këtë vepër, për t’i dhënë peshë institucionale shkencore kësaj trashëgimie dhe për t’i dalë zot asaj si pronë e jona shpirtërore e kulturore. Ja, edhe një arsye më shumë që e bën këtë vepër kaq të rëndësishme për bibliotekën tonë.”

Në fund foli edhe autorja e këtij libri, Nora Maliqi Zylali, e cila tha se: “Në këtë vepër kemi përfshirë disa dokumente me rëndësi për gjendjen e trashëgimisë kulturore islame ndërmjet dy luftërave botërore, të cilat janë me rëndësi jo vetëm si dokumente, por edhe si shënime që dëshmojnë se nëpër çfarë kalvari ka kaluar identiteti ynë në Shkup.”

Në fund u hap edhe ekspozita me titullin “Trashëgimia kulturore islame në Shkup”.

Related posts

Bozhinovski: Kryeministri bullgar mund të zgjohet në humor të keq dhe të vendosë të na bllokojë

Gazetamax.mk

Bislimovski: Tarifa të reja për qytetarët, kush harxhon më shumë do të paguaj më shtrenjtë

Gazetamax.mk

Ilir Hasani: Si Front Evropian do t’i kemi mbi 20 deputetë

Gazetamax.mk