GazetaMax
Lajme

Udhëheqësi i Hamasit kërkon garanci reale për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza

Lider i Hamasit, Khalil al-Hayya, bëri thirrje për garanci “reale” për të siguruar fundin e luftës së Izraelit në Rripin e Gazës.

“Ne pohojmë gatishmërinë tonë të plotë për të arritur (një marrëveshje për) përfundimin e luftës, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e të gjitha pengjeve izraelite, të gjallë dhe të vdekur, në këmbim të të burgosurve palestinezë të specifikuar sipas planit të Trumpit”, tha al-Hayya për kanalin shtetëror egjiptian “Al-Qahera News”.

Megjithatë, theksoi ai, “pushtimi izraelit ka vazhduar të vrasë dhe të bllokojë ndihmën, veçanërisht në Gazën veriore, që kur njoftuam miratimin tonë të planit të Trumpit”.

Kreu i Hamasit theksoi se Izraeli shkeli marrëveshjen e parë të armëpushimit në nëntor të vitit 2023 dhe rifilloi luftën.

“Izraeli nuk i ka respektuar kurrë premtimet e tij gjatë gjithë historisë. Ne e kemi testuar pushtimin dhe nuk i besojmë as për një moment të vetëm”, tha al-Hayya, duke kërkuar “garanci reale” nga komuniteti ndërkombëtar, presidenti Trump dhe vendet që sponsorizojnë negociatat.

Ai theksoi se Hamasi kërkon të arrijë “qëllimet dhe aspiratat e popullit palestinez për stabilitet, liri, shtetësi dhe vetëvendosje”.

“Lufta duhet të përfundojë përgjithmonë në mënyrë që populli ynë palestinez të jetojë në stabilitet si popujt e tjerë të rajonit”, shtoi ai.

Sot, Hamasi dhe Izraeli zhvilluan një ditë të dytë negociatash indirekte në qytetin egjiptian Sharm el-Sheikh për të arritur një armëpushim dhe shkëmbim të burgosurish sipas planit të Trumpit për Gazën.

Më 29 shtator, Trump zbuloi një propozim me 20 pika që përfshin lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës. Hamasi në parim u pajtua me planin në parim.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë ta paktën 67.200 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë bërë enklavën pothuajse të pabanueshme dhe kanë çuar në zhvendosje masive, uri dhe përhapje të sëmundjeve.

Related posts

Shpërthimi i fuqishëm në një lokal në Madrid, nxirret trupi i pajetë i një burri 52-vjeçar

Gazeta Max

Mexhiti: Nis transformimi i shkollës “Jashar Bej Shkupi” në Çair – ndërtohet sallë sportive moderne dhe klasa të reja

Gazeta Max

Qyteti i Shkupit me kallëzim penal kundër fabrikës së çimentos, USJE

Gazeta Max