GazetaMax
Lajme

Viti 2022 dhe gjyqësori si vëlla e motër, asnjëra nuk përmbushi pritshmëritë

Shkup, 4 janar – Vitin e kaluar, sektori i drejtësisë është dashur të “shijojë” frytet e Strategjisë dhe planit të veprimit për reforma në periudhën 2017-2022. Metodologjia e re dhe zgjidhjet ligjore për vlerësimin, përzgjedhjen dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë pritej të tejkalojnë disa mangësi dhe pengesa të mëparshme, vendimtare për një gjyqësor më efikas. Momenti, që ligjet janë miratuar dhe tani kanë nevojë për zbatimin e tyre, është njohur edhe në Raportin e Komisionit Evropian. Mirëpo, në 12 muajt e fundit është folur më shumë për kontraste, aktvendime të shfuqizuara dhe procese të rikthyera, ujdi me miliona dollarë, “turizëm burgu”, si dhe ekspertizë gjyqësore dhe superekspertizë, zgjedhje e sondazhe.

Ndërsa po punohet tashmë për një Strategji të re për Reformën e Sistemit të Drejtësisë 2023-2027, në vijim është një pasqyrë e shkurtër e asaj që opinioni mund të dëgjonte vitin e kaluar, 2022-in, në fushën e drejtësisë dhe administrimit të drejtësisë.

Pranimi i fajësisë, ujdi dhe “turizëm burgjesh”

Në vitin 2022, opinioni dëgjoi se ndërsa Ohri është resorti turistik më i famshëm në vend, burgu në Strugë është sinonim i “turizmit të burgjeve”. Aktorët kryesorë në këtë ishin biznesmeni Jordan Kamçev dhe ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, të cilët nga paraburgimi, pastaj arresti shtëpiak në Shkup, kaluan në repartin e hapur të Burgut të Strugës.

Më 5 janar të vitit të kaluar, biznesmeni Jordan Kamçev u lirua nga paraburgimi, ku ndodhej që nga marsi i vitit 2021 si i pandehur në rastin “Parcelat në Vodno”, pasi Gjykata pranoi garancinë prej gati 11 milionë eurosh.

Kamçev në prill të vitit të kaluar u dënua me një vit burg për rastin “Parcelat në Vodno”, ndërsa për rastin “Perandoria” e pranoi fajësinë dhe u pajtua me një denim prej një vit burgu dhe pagesë prej 5.2 milionë eurosh.

Ndërkohë, Kamçev e ndërroi adresën e vendbanimit nga Shkupi në Ohër, me çka për vuajtjen e sanksionit u ngarkua gjykata e Ohrit, e cila i lëshoi ​​një akt referimi burgut të Strugës, i cili është i llojit të hapur.

Për rastin “Parcelat në Vodno”, ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov, më 21 prill të vitit të kaluar është dënuar me një vit e tre muaj burg, nën akuzën “ndihmë në veprën e pastrimit të parave dhe veprave të tjera penale”, ku i akuzuari i parë, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i akuzuar për pastrim parash dhe përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, është dënuar me shtatë vjet burg në mungesë.

Në korrik, Mijallkov u deklarua fajtor për rastin “Perandoria” dhe pranoi një dënim me tre vjet burg. Po ashtu, Mijallkovi është pajtuar për konfiskimin e pasurisë së tij në vlerë prej rreth 30 milionë eurosh.

Mijallkov në gusht paraqitet edhe në burgun e Strugës për të vuajtur dënimin me tre vjet burg për rastin “Perandoria”, pasi ka ndërruar adresën nga Shkupi në Ohër.

Pas zhvillimeve të tilla dhe serisë së reagimeve në opinion, ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski, bëri të ditur se Ministria në të ardhmen do të propozojë që vuajtja e dënimit me burg të personave të dënuar të lidhet me vendbanimin e tyre në këto dy vitet e fundit.

“Rezultoi që Struga është qyteti i turizmit të burgjeve. Është burg i tipit të hapur, dhe sigurisht që edhe siguria dhe kushtet për vuajtjen e dënimit janë më të privilegjuar ose më të mira se institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit në vendin tone”, tha Tupançeski në qershor të vitit të kaluar.

Burgu në Strugë është i tipit të hapur, gjegjësisht i dënuari mund të dalë gjatë ditës dhe të kalojë vetëm natën atje.

Një “turizëm i tillë I burgjeve” nuk pushoi së shkaktuari probleme në sistemin gjyqësor, kështu që Mijallkov nuk u dërgua nga Burgu i Strugës më 23 dhjetor në seancën për procedurën e përsëritur për rastin “Titanik 2” në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit.

Besimi në drejtësi, më shumë në fjalë sesa në vepra

Ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançeski, i cili mori detyrën në fillim të vitit të kaluar, tha në maj se perceptimi i gjyqësorit do të përmirësohej nëse do të kishte dënime proporcionale për krime të rënda.

Në këtë drejtim, tha ai, inkurajojmë gjykatat, prokuroritë dhe të gjitha institucionet e tjera që e ushtrojnë drejtësinë që të jenë në lartësinë e detyrës, se është vërtet koha që në Republikën e Maqedonisë së Veriut të tregohet në veprim se çfarë përmirësimi apo cilësie duhet të duket në administrimin e drejtësisë.

Më 30 shtator të vitit të kaluar, Tupançevski sërish komentoi situatat në gjyqësor, duke vlerësuar se “ato po lëvizin në drejtimin pozitiv”.

“Situata në gjyqësor, ndoshta ngadalë, por po ecën në drejtimin pozitiv. Jemi dëshmitarë se ka përgjegjësi mes gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë dhe organet rregullatore, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë tregojnë riaktivizimin apo zbatimin e kompetencave të tyre”, tha ministri i Drejtësisë Tupançevski.

Megjithatë, në fund të vitit, IRI publikoi një anketë të re sipas të cilës qytetarët kanë katër për qind besim në gjyqësor dhe tre për qind në prokurorinë publike. Kjo, sipas besimit të qytetarëve tek institucionet, e vendos gjyqësorin në shoqërinë e partive politike në fund dhe “trazon” radhët e gjyqësorit dhe prokurorisë, por sikur të mos “gjendej” askush në vlerësimin e përgjithshëm, nuk kishte një përgjigje konkrete se çfarë mund dhe do të bëjë çdokush brenda kufijve të autoritetit të tij për të përmirësuar një situatë të tillë.

Në fund të vitit ishte edhe një ekip amerikan për sanksione, për të skanuar situatën në drejtësi dhe për të mbledhur informacion mbi të cilin formohet lista e subjekteve nën sanksione.

Ekipi i sanksioneve nga Uashingtoni që mbërriti në vend në fillim të dhjetorit, sipas njoftimeve të ambasadores amerikane Angela Ageler, kishte për qëllim “të hidhte një vështrim më agresiv ndaj aktorëve të korruptuar të kaluar dhe të tanishëm dhe të merrte në konsideratë të gjitha përgjigjet e mundshme”, me vlerësimin se sektori i drejtësisë në vend ka nevojë për më shumë hetime dhe ndjekje penale për të treguar se askush nuk është mbi ligjin.

Për shkak të shkeljeve thelbësore në procedurë, Apeli “rinis” çështjet e PSP-së.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e vendit, në kapitullin 23 thuhet se Maqedonia e Veriut ka vazhduar të shënojë përparim në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit, duke përfshirë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

“Rastet e ish Prokurorisë Speciale Publike (PSP) vazhduan të gjykohen kryesisht nga Prokuroria Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Deri më tani ka pasur aktgjykim të formës së prerë në shtatë raste për 17 të pandehur. Gjykimet janë në vazhdim për shumicën e rasteve të mbetura. Në 11 raste janë dhënë aktgjykime të shkallës së parë. Gjykatat dhanë aktgjykime të shkallës së parë, duke përfshirë kundër ish-zyrtarëve të shquar të qeverisë si ish-kryeministri, ish-ministri i transportit, ish-ministri i brendshëm dhe ish-drejtori i Byrosë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK). Tre nga të shpallurit fajtorë janë ende në arrati”, citohet në Raportin e KE-së në pjesën e dosjes që është bërë deri më tani.

Por Apeli i “i solli fat” Mijallkovit vitin e kaluar. Për shkak të shkeljeve esenciale në procedurë, gjyqtarët e Apelit i kanë anuluar aktgjykimet e shkallës së parë, fillimisht në nëntor për “Thesarin”, e më pas në dhjetor për “Target”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit në Shkup i pranoi ankesat e të akuzuarve në rastin “Target-Fortesa”, e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu lëndën në Gjykatën Themelore Penale Shkup për rigjykim dhe vendimmarrje.

Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se gjatë shqyrtimit të aktgjykimit, ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë, duke u marrë me këtë rast, ka kryer shkelje esenciale të dispozitave të Ligjit për Procedurën Penale, të cilat janë të një natyrë absolute.

Për rastin “Target-Fortesa”, i cili ka të bëjë me përgjimet masive, Gjykata Themelore Penale Shkup më 26 shkurt të vitit 2021 ka shqiptuar dënim me burg prej 55 vjetësh dhe 10 vjet me kusht, përkatësisht gjithsej 65 vjet për 11 persona. Gjykata e dënoi ish-drejtorin e DSK-së Sasho Mijallkovin me 12 vjet burg për veprën penale “bashkëpunim kriminal”, “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “marrjen e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”.

Çështja kryesore “Target-Fortesa”, e cila i referohet përgjimeve të paligjshme, ka nisur më 22.12.2017 ndaj 11 personave. Gjatë procedurës janë mbajtur 53 seanca, në të cilat janë dëgjuar 123 dëshmitarë, janë paraqitur 887 prova materiale dhe pesë ekspertiza. U morën në pyetje mbi 200 persona të cilët kanë qenë të dëmtuar nga ky rast. Vendimi i shkallës së parë është shpallur nga Gjykata Penale më 26 shkurt të viti 2021, pas pak më shumë se tre vitesh. Kjo në heshtje i hap derën 107 të Kodit Penal për vjetërsimin e rastit të Mijallkovit, që është viti 2025.

Ndërsa në fokus të raporteve ndërkombëtare janë rastet e hapura nga ish-PSP-ja, për opinionin vendas një enigmë më e madhe është “pamundësia” për të marrë një vendim gjyqësor prej më shumë se katër vitesh për aksidentin e autobusit në fshatin Laskarcë, më 13 shkurt të vitit 2019, dhe në të cilin humbën jetën 16 persona dhe mbi 30 u plagosën rëndë.

Procesi gjyqësor për aksidentin ka nisur në shtator të vitit 2019 dhe më 27 dhjetor më në fund ka mbërritur ekspertiza nga Byroja e Ekspertizës dhe gjykimi vazhdon më 24 janar të këtij viti me një nisje formale nga fillimi, për shkak të rrjedhës së një periudhë më të gjatë kohore, pas së cilës do të fillojë me dëgjimin e personave të aftë që kanë përgatitur konstatimin.

Superekspertiza që Gjykata e kishte urdhëruar në dhjetor të vitit 2021 është refuzuar nga fakultetet e vendit, me arsyetimin se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme, ndërsa Fakulteti Teknik në Manastir, në të njëjtën kohë, ka njoftuar gjithashtu se e kishin kthyer lëndën sepse ekspertët e tyre të licencuar për inxhinieri mekanike janë ekspertë vetëm në energji dhe nuk mund të ekspertojnë mjete motorike. Nga Gjykata Penale kanë bërë të ditur se kanë kontaktuar me Universitetin e Shtipit dhe me Fakultetin Mekanik në Shkup, nga ku janë njoftuar se nuk kanë mjaftueshëm ekspertë të licencuar për automjete në komunikacion, të cilët nuk kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme. Pas refuzimit të fakulteteve, lënda është dërguar në Byronë e Ekspertizës Mjeko-Ligjore, e cila ka aftësinë të formojë një ekip ekspertësh të licencuar për kryerjen e superekspertizës.

Zgjedhja e kreut të ri të PPKOK-së, i pari pas ligjit të ri reformues, ka shkaktuar reagime në opinion

Vitin e kaluar, prokurorët publikë votuan për herë të parë vetë për të zgjedhur një drejtues të ri të Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Nga katër kandidatët më së shumti ka marrë vota Islam Abazi, 66 vota nga gjithsej 163 prokurorë publikë. Zgjedhjet, edhe pse fryt i reformës së Ligjit për Prokurorët Publikë, i miratuar me shumicë prej dy të tretash, nuk kaluan pa reagime.

Zgjedhja e Abazit befasoi shumë në skenën ndërkombëtare dhe atë vendase.

Grupi i Projektit për Reformat në Drejtësi është shprehur për mungesën e transparencës dhe lëshimet e bëra gjatë zgjedhjes së Prokurorit Publik Themelor të PPKOK-së, që u mbajt më 7 nëntor të vitit 2022.

Për herë të parë, siç thuhet në njoftimin e grupit Blueprint për reformat në drejtësi, prokurori publik themelor i PPKOK-së është duke u përzgjedhur nga të gjithë prokurorët publikë në vend, ndërsa Këshilli i Prokurorëve Publikë të RMV-së ka autoritet vetëm për të konstatuar përzgjedhjen sipas vullnetit të prokurorëve publikë (sipas Ligjit për Prokurorinë Publike të miratuar në vitin 2020 dhe ndryshimeve të Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë nga viti 2020).

Ambasadorja e SHBA-së në vend, Angela Ageler, e cilësoi konfuze zgjedhjen e Abazit.

“Ne, në Ambasadën e SHBA-së, sigurisht që rezultatet na duken konfuze, veçanërisht pasi kemi shpenzuar miliona dollarë për trajnimin e prokurorëve dhe të tjerëve në sistemin e drejtësisë në vitet e fundit. Qytetarët meritojnë një sektor të pavarur drejtësie në të cilin pozitat plotësohen me meritë dhe cilësi, përmes proceseve transparente, qofshin ato në prokurori, gjyqësor apo në çdo institucion tjetër publik. Ndërhyrja politike nuk ka vend në këto procese. Ata që do të ndërhyjnë duke ushtruar presion, kërcënime apo marrëveshje korruptive duhet të mbajnë përgjegjësi para qytetarëve”, tha Ageler.

Me ambasadoren amerikan u pajtua edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili theksoi se sipas tij, mënyra e zgjedhjes së Abazit tregon se duhen reforma shtesë në gjyqësor.

Para zgjedhjeve për kryetar të Prokurorisë Themelore Publike – PPKOK-së në gusht të vitit të kaluar, opinioni ishte dëshmitar i një “përballjeje” interesante mes kryetares së atëhershme të kësaj prokurorie, Vilma Ruskovska, dhe ushtruesit të detyrës Drejtori i Drejtorisë të Policisë Financiare Arafat Muaremi, që filloi me një kontroll në Policinë Financiare dhe përfundoi me masë disiplinore, suspendim dhe kallëzim penal ndaj Ruskovskës. Ruskovska mori 12 vota në zgjedhjet për kryetare të Prokurorisë Themelore Publike – PPKOK-së.

Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë vitin e kaluar u dëshmua nga pensionimi i rreth 40 gjyqtarëve dhe dhjetëra prokurorëve publikë dhe krijimin e hendekut në 7000 lëndë që ata lanë, si dhe “akumulim të funksioneve” duke bërë që anëtarët e Këshillit të Gjyqësorit dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, të emërohen për të kryer funksione në organet e Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë.

Sipas sistematizimit të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë mungojnë rreth 200 gjyqtarë dhe 100 prokurorë publikë.

Viti 2022 u mbyll me zgjedhjet/emërimin e kryetarëve të rinj edhe të Këshillit Gjyqësor, i cili sipas metodologjisë së re vlerëson punën e gjyqtarëve dhe në përputhje me rrethanat përzgjedh, promovon dhe shkarkon gjyqtarët, si dhe të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, që është rruga e vetmja e hyrjes për kandidatët e rinj në drejtësi.

Katër muaj para përfundimit të mandatit të saj, kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska dha dorëheqje, por mbeti anëtare e tij dhe në vend të saj u zgjodh Vesna Dameva. Me tërheqjen, Cërvenkovska mbeti e “obliguar” për të dhënë dy sqarime, se kush është “elita gjyqësore-afariste” për të cilën flet në dorëheqjen e saj dhe se çfarë ka bërë Këshilli Gjyqësor deri më tani, për besimin e ulët që ka gjyqësori.

Para fundit të vitit, ndonëse në qetësi, u bë edhe një tjetër zgjedhje, për drejtorin e Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë. Dhe e gjithë kjo nuk do të kishte qenë gjë tjetër veçse një zgjedhje e rregullt, nëse nuk do t’i kishte paraprirë një përpjekje e pasuksesshme për të votuar, e më pas emërime interesante për anëtarët e organeve drejtuese dhe mbikëqyrëse të Akademisë.

Related posts

Demant nga Drin Ahmetit për deklaratën e Kovaçkit nga VMRO – DPMNE

Gazetamax.mk

Vazhdon gjykimi për vrasjen e Denis Tot

Gazetamax.mk

Limani me bashkëpunëtor kalojnë natë në qiell të hapur për mbrojtjen e pronave të qytetarëve

Gazetamax.mk