GazetaMax
Lajme

Zgjedhjet e 3 prillit, taktikë e Beogradit për destabilizim të Kosovës

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, e cila nga opozita së fundi u quajt e “paaftë”, tani duhet të përballet edhe me një situatë tjetër.
Në këtë rast Qeverisë së Kosovës i duhet që të jap fjalën e fundit në lidhje me lejimin apo jo, të mbajtjes së zgjedhjeve serbe të 3 prillit edhe në territorin e Kosovës.
Derisa Serbia dhe drejtuesit e këtij shteti si fillim u shprehën të bindur se këto zgjedhje do të mund të zhvillohen edhe në Kosovë, një gjë e tillë duket se përfundimisht nuk do të ndodhë.
Kjo u bë e ditur edhe nga vetë shtetet e QUINT-it, të cilat përmes një reagimi të përbashkët theksuan se janë të dëshpëruara me vendimin e Qeverisë së Kosovës, ani pse kryeministri Kurti vazhdimisht ka deklaruar se ende nuk ka dhënë një vendim final, por që sipas tij për t’u realizuar kjo do të duhej një marrëveshje paraprake në mes dy shteteve.
Lidhur me këtë çështje, lajmi.net, ka kontaktuar Milazim Krasniqin, njohës i rrethanave politike, i cili ka thënë se kërkesa e Serbisë për t’i shtrirë zgjedhjet e veta në Kosovë është pjesë e taktikave të saj për ta destabilizuar Kosovën, aq me tepër në këtë moment kur është lufta në Ukrainë dhe Rusisë i duhet hapja e ndonjë vatre në zemrën e NATO-s.
“Kërkesa e Serbisë për t’i shtrirë zgjedhjet e veta në Kosovë, është pjesë e taktikave të presionit dhe të përpjekjes së Serbisë për ta destabilizu Kosovën. Aq më tepër në këtë moment kur është lufta në Ukrainë dhe Rusisë i duhet hapja e ndonjë vatre në zemrën e NATO-s. Kjo kërkesë më shumë merr konotacione të një rreziku të sigurisë, se sa të përmbushjes së ndonjë kërkese për proces demokratik. Prandaj në këtë kuptim, kërkesat e Serbisë janë gjithmonë të njohura dhe gjithmonë absurde,” ka thënë Krasniqi.
Krasniqi tha gjithashtu se e sheh si ta pakuptueshme anshmërinë Bashkimit Evropian në gjithë këtë proces, duke shtruar pyetjen se “Pse i kërkohet Kosovës që t’i lejojë zgjedhjet e Serbisë, e nuk i kërkohet shteteve tjera si Kroacisë?”.
“Por është e pakuptueshme, anshmëria e Bashkimit Evropian në këtë proces. Pse kërkohet që Kosova të lejoj këto zgjedhje, kur për shembull nuk kërkohet që serbët e Kroacisë, serbët e Maqedonisë së Veriut, serbët e Malit të Zi ose të Bosnjës të votojnë në zgjedhjet e Serbisë,” deklaroi Krasniqi.
Ai vazhdoi duke thënë se në këtë aspekt “sherri është evident” dhe se sepse Serbia e trajton Kosovën si pjesë të sajën.
“Pra në këtë aspekt, sherri është evident, sepse Serbia e trajton Kosovën si pjesë të territorit të saj e rrjedhimisht tentativa është në këtë drejtim, për ta konfirmu demek se Kosova është pjesë e saj”, shtoi Krasniqi.
Përveç kësaj, profesori i gazetarisë e sheh pozicionin e BE-së si pozicion kontradiktor, meqë ajo ka mandat si ndërmjetësuese.
“Dhe Bashkimi Evropian e ka një pozicion kontradiktor. E para: Ka një mandat legjitim nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për të ndërmjetësuar mes Kosovës dhe Serbisë. Por, në anën tjetër meqë pesë shtete të BE-së nuk e pranojnë Kosovën, ka një pozicion jo korrekt në raport me Kosovën, sepse nuk e trajton si forcë të barabartë. Prandaj në këtë funksion, situata është absurde në të dy aspektet,” shtoi ai.
Më tej, Krasniqi e sheh edhe një tjetër aspekt absurd, atë të Qeverisë së Kosovës.
“Dhe aspekti i tretë i cili ka elemente të absurdit, është qëndrimi i Qeverisë tonë. Është ditë që Qeveria do të ndjekë vijën e vendimit të mëhershëm për moslejimin e referendumit. Por nuk është punu për përgatitjen as të opinionit publik, dhe nuk është punu as për bindjen e opinionit ndërkombëtar, dhe ka kalu në një pozicion defansiv, në të cilin është edhe tash. Gjë që mund të ketë pasoja për raportin e Kosovës me faktorët ndërkombëtar, veçmas me Bashkimin Evropian,” vazhdoi ai.
Krasniqi, mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, i sheh si me rrezik për sigurinë, duke thënë se mund të ketë incidente mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Përndryshe, mbajtja e zgjedhjeve do të ishte vërtetë me rrezik për sigurinë, sepse do të mund të kishte reagim të ndonjë grupi të serbëve pastaj do të mund të kishte reagim të ndonjë grupi të shqiptarëve dhe mund të kishte incidente, dhe atëherë incidentet do ta konfirmonin saktësisht atë pretendimin e Rusisë për të hap një vatër të krizës në Ballkan.”
Sa i përket qëndrimit të QUINT-it, të cilët u deklaruan si të zhgënjyer nga vendimi i qeverisë për mos mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, Krasniqi tha se qëndrimi i tyre është jo parimor.
“Është qëndrim jo parimor, është qëndrim jo i drejtë, sepse t’i kërkosh dikujt diçka që është në kundërshtim me Kushtetutën, e pastaj ta akuzosh se nuk po je bashkëpunues është një absurd. Kështu që në këtë aspekt, Bashkimi Evropian jo vetëm në këtë rast, por në shumicën e rasteve në procesin e dialogut ka qëndrim të padrejt ndaj Kosovës sepse nuk e trajton si palë të barabartë,” përfundoi Kransiqi.
Rreth këtij debati, për lajmi.net është prononcuar edhe analisti politik Gazmir Raci, i cili ka thënë se është krijuar një standard i ri dhe se Serbia është dashur t’i respektojë procedurat që janë parashtruar prej anës së Kosovës.
“Sa i përket zgjedhjeve tash është krijuar standard i ri, është një qasje e re e Qeverisë Kurti. Serbia është dashtë me i respektu procedurat që janë parashtruar prej anës së Kosovës, dhe vetëm për një letër formale ata e kanë humbur mundësinë më i realizu zgjedhjet, gjë që ka qenë gabim prej tyre,” tha Raci.
Tutje, analisti shtoi se me aq sa ka kuptuar ai, Qeveria nuk ka refuzuar mbajtjen e zgjedhjeve por ka kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës, me aq sa kam kuptuar unë nuk ka refuzuar mbajtjen e zgjedhjeve, por ka kërkuar respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, kështu që ata nuk e kanë bërë një kërkesë të tillë dhe tash serbët e Kosovës, detyrohen të shkojnë në Serbi për të votuar,” shtoi ai.
Ndërsa sa i përket reagimit të vendeve të QUINT-it, Raci e sheh këtë si një reagim diplomatik normal kur palët nuk merren vesh dhe që Kosova ka ushtruar detyrën e vetë si shtet sovran.
“Ndërsa reagimi QUINT-it është reagim diplomatik normal që bëhet në rastin kur palët nuk merren vesh, natyrisht që Kosova e ka ushtruar detyrën e vetë si shtet sovran, dhe ka vendos për një çështje të saj të brendshme,” përfundoi Raci.
E në reagimin e vendeve të QUINT-it dje u tha se e shohin si zhgënjyese se si Qeveria “dështoi” të tregoj përkushtimin ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të saj.
“Me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të tregoj përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, thuhet tutje në reagim e QUINT-it.

Related posts

Arrestohet një person, kalonte naftë kontrabandë nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë

Gazetamax.mk

15 vjetori i Pavarësisë/ Ahmeti: Dikur ëndërronim Kosovën shtet, tashmë është realitet

Gazetamax.mk

Drejtori i BSP, Tasevski në takim me shefat e shërbimeve policore në Bërdo

Gazetamax.mk