OEMVP, shënoi 20-vjetorin e themelimit
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore organizoi Ngjarje Solemne me rastin e 20-vjetorit të themelimit të saj, duke shënuar dy dekada përkushtim në përfaqësimin dhe avancimin e interesave të komunitetit të biznesit. Ky jubile i rëndësishëm mblodhi qindra përfaqësues të institucioneve shtetërore, komunitetit të biznesit, partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe mysafirë të shumtë, të cilët së bashku reflektuan mbi rrugëtimin e deritanishëm dhe kontributin e OEMVP-së në zhvillimin ekonomik të vendit. U rikujtua takimi i parë krucial me të cilin filloi edhe iniciativa e themelimit të Odës më 4 dhjetor të vitit 2004, i cili do të ndërronte trajektoren e biznesit dhe ekonomisë së vendit përgjithmonë. U.d. Kryetari i OEMVP, në fjalën e tij theksoi se “Në këtë rrugëtim, OEMVP duhet të mbetet shtëpia e biznesit shqiptar, një institucion që jo vetëm dëgjon, por vepron, jo vetëm përfaqëson, por mbron interesat e afaristëve tanë, sot dhe për brezat që do të vijnë. Ne kemi diasporë të fuqishme, të rinj të talentuar dhe potencial të jashtëzakonshëm. Ajo që na duhet është të vazhdojmë të besojmë tek njëri-tjetri dhe të ecim përpara së bashku”. Fjalim përshëndetës kishte edhe Kryetari i Kuvendit të RVM, z. Afrim Gashi, si dhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit z. Aleksandar Nikoloski. U promovua edhe dokumentari i rrugëtimit 20 vjeçar të OEMVP, si dhe monografia komemorative, ku pjesë e saj janë kompani dhe figura të shumta që kanë qenë kontribuues përgjatë 2 dekadave të veprimtarisë së Odës. Ngjarja shërbeu gjithashtu si një moment vlerësimi për të gjitha kompanitë anëtare, themeluesit, partnerët, Kryetarët e kuvendit të OEMVP, drejtorët ekzekutiv, mbështetësit ndër vite, bashkëpunëtorët institucional, kryetarët e Odës. Ndërkaq u ndanë mirënjohje Post Mortem për personat e ndjerë,  si dhe mediat që përkrahën të dëgjohet zëri i një institucioni që do përfaqësonte biznesin shqiptar, që asokohe kishte vizion gjithëpërfshirës që nuk kërkonte asgjë tjetër, pos një teren me kushte të barabarta dhe të drejta për një garë të mirëfilltë në tregun e vendit. Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së, z. Durim Zekiri, në fjalën e tij përshëndetëse, shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë bashkëpunëtorët dhe partnerët që kanë kontribuar në rrugëtimin dhe sukseset e Odës gjatë këtyre 20 viteve. Me pjesëmarrjen e tyre nderuan këtë ngjarje edhe orkestra dhe kori i Ansamblit Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV, me këngën “Prej Tetove në Dibër”. Njëzet vjet më vonë, OEMVP mbetet po ai zë i biznesit që lindi nga vizioni, guximi dhe nevoja për përfaqësim të denjë. Duke nderuar të kaluarën dhe kontributin e brezave që e formësuan, ajo vazhdon të shohë përpara me përgjegjësi, ambicie dhe besim në potencialin e biznesit vendor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *