Shasivari: Balancuesi stimulonte abuzimin me deklarimin kombëtar
Profesori universitar dhe hartuesi i Propozim-Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Jeton Shasivari, ka deklaruar se një nga arsyet kryesore që çuan në shfuqizimin e mekanizmit të njohur si “balancuesi” ishte abuzimi sistemor me deklarimin e përkatësisë etnike gjatë procedurave të punësimit në administratë. Në një deklaratë për Top Channel, Shasivari tha se raportet e institucioneve relevante, veçanërisht ato të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, evidentonin probleme serioze në zbatimin e këtij mekanizmi. “Raportet, sidomos të Komisionit Shtetëror për Antikorrupsion, flisnin se bëhej fjalë për një dukuri të abuzimit sistemor të balancuesit. Në një konkurs me tre vende pune, ku kërkohej përkatësisht një maqedonas, një shqiptar dhe një turk, i njëjti kandidat deklaronte në të njëjtin konkurs tri përkatësi të ndryshme kombëtare”, tha Shasivari. Sipas tij, një praktikë e tillë tregonte se mekanizmi i balancuesit krijonte hapësirë për keqpërdorime dhe stimulonte deklarime të ndryshme etnike varësisht nga pozita për të cilën aplikohej. “Kjo do të thotë se balancuesi stimulonte abuzimin me deklarimin kombëtar”, theksoi ai.