Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, ka informuar që edhe dy ditë na ndajnë deri në Festivalin Internacional të Muzikës “Çarshia”, një nismë e Komunës së Çairit, që lindi nga bindja se kultura është një nga themelet mbi të cilat ndërtohet identiteti i një vendi.
“Pasnesër nis edicioni i parë i Festivali Internacional të Muzikës “Çarshia”, një nismë e Komunës së Çairit, që lindi nga bindja se kultura është një nga themelet mbi të cilat ndërtohet identiteti i një vendi.
Për katër net me radhë, Suli Hani dhe Kurshumli Hani do të mbushen me tinguj të muzikës klasike, operës, flamenkos dhe serenatave korçare. Çarshia e Vjetër ka qenë gjithmonë një hapësirë takimesh, ku janë kryqëzuar njerëz, kultura dhe histori. Këto ditë, asaj historie do t’i shtohet edhe muzika.”, ka shkruar Izet Mexhiti.
Ai tutje thotë se përmes kësaj nisme tenton që të krijohet një traditë e përvjetshme dhe u bënë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht.
“Qëllimi ynë është ta shndërrojmë Festivalin “Çarshia” në një traditë të përvitshme, që e pasuron jetën kulturore të Shkupit dhe e vendos qytetin gjithnjë e më shumë në hartën kulturore të rajonit.
Ju ftoj të jeni pjesë e këtij fillimi. Çdo traditë e madhe ka nisur me një hap të parë. Uroj që, pas shumë vitesh, Festivali “Çarshia” të jetë një nga ato ngjarje me të cilat identifikohet Shkupi.”, ka përfunduar Mexhiti, përcjell Zhurnal.mk