Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka njoftuar se komuna do të vendos sistem video mbikëqyrjeje në hapësirat publike, me qëllim parandalimin e dëmtimit të inventarit urban, këndeve të lojërave për fëmijë, terreneve sportive dhe parqeve.
“Gjatë periudhës së kaluar kemi qenë dëshmitarë të shkatërrimit të sipërfaqeve publike, këndeve të lojërave, qendrave sportive-rekreative dhe parqeve. Pavarësisht përpjekjeve tona për t’i mbrojtur, vandalizmi ka vazhduar dhe disa terrene nuk zgjasin as dy muaj pa u dëmtuar”, ka bërë të ditur Kostovski.
Ai theksoi se përmes video mbikëqyrjes, inçizimet do të shërbejnë si prova në procedura eventuale gjyqësore, penale ose kundërvajtëse, me synim uljen e dukurive devijante në komunën e Butelit.
Kostovski apeloi deri tek qytetarët që të kujdesen për pronën publike, në mënyrë që fëmijët dhe banorët e Komunës së Butelit të kenë kushte të sigurta dhe moderne për rekreim dhe argëtim.
