Latifi dhe Tërnava intensifikojnë bashkëpunimin për interkoneksionin e ri energjetik Tetovë – Prizren
Drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Burim Latifi, zhvilloi sot një takim pune me drejtorin e operatorit të sistemit elektrotransmetues të Kosovës (KOSTT), Trim Tërnava, ku në fokus ishte avancimi i projektit strategjik të Korridorit Energjetik Lindje–Perëndim, pjesë e të cilit është edhe ndërtimi i interkoneksionit të ri energjetik Tetovë–Prizren. Gjatë takimit u shqyrtuan aktivitetet e realizuara pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet dy operatorëve, si dhe hapat e ndërmarrë për nominimin e projektit për statusin PECI (Project of Energy Community Interest). Po ashtu, u diskutua edhe procesi për sigurimin e asistencës teknike nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), e cila do të mundësojë përgatitjen e studimeve të nevojshme të fizibilitetit për realizimin e projektit. Latifi dhe Tërnava analizuan variantet e propozuara të trasës së interkoneksionit në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, me qëllim identifikimin e zgjidhjes më të përshtatshme teknike dhe ekonomike që do t’u përgjigjet nevojave të të dy vendeve. Në takim u dakordua edhe dinamika e aktiviteteve të ardhshme dhe mënyra e koordinimit ndërmjet MEPSO-s dhe KOSTT-it, me fokus në shfrytëzimin sa më efikas të mbështetjes teknike dhe realizimin në afat të fazave të ardhshme të projektit. Sipas Latifit, projekti paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë energjetike dhe integrimit rajonal, ndërsa të dy operatorët konfirmuan përkushtimin për thellimin e partneritetit dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore që do të kontribuojnë në stabilitetin dhe ndërlidhjen e sistemeve elektroenergjetike në rajon. https://www.facebook.com/share/p/18gcnW8E1e/