Filipçe: “Koalicionit të zi” do t’i kundërvihemi me unitet progresiv rajonal
“Iniciativa e Shkupit” është një veprim për forcimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet partive socialdemokrate dhe progresive në rajon, deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, në një konferencë ndërkombëtare të organizuar nga LSDM dhe Shkolla e Lartë Politike e Korçulës. Sipas tij, rajoni po përballet me një sfidë serioze nga struktura autoritare, nacionaliste dhe korruptive, ndaj të cilave forcat progresive duhet të përgjigjen me unitet, bashkëpunim dhe veprim të përbashkët. Ai vlerësoi se Ballkani Perëndimor ndodhet në një moment kyç, kur pas shumë vitesh ngecjeje ekziston sërish një mundësi reale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Brezi ynë ka një mundësi unike për ta përfunduar këtë proces. Kemi mundësinë jo vetëm të përmbushim një qëllim strategjik, por edhe të realizojmë ëndrrën shumëvjeçare të një brezi të tërë. Konteksti në të cilin veprojmë sot është shumë më ndryshe nga ai që dikur bashkonte spektrin politik dhe frymëzonte optimizëm të gjerë publik. Shoqëritë tona po përballen me rezistencën më serioze ideologjike në historinë e tyre të afërt. Forcat antievropiane janë më të organizuara se kurrë më parë dhe të vendosura ta vonojnë, në mos ta pengojnë plotësisht, integrimin evropian”, tha Filipçe. Filipçe theksoi se nacionalizmi i brendshëm, populizmi, krimi i organizuar dhe ekstremizmi po veprojnë gjithnjë e më shumë së bashku kundër vlerave evropiane dhe proceseve reformuese. Ai shtoi se këto forca po inkurajohen edhe nga ngritja e së djathtës ekstreme në disa vende anëtare të BE-së. “Këto forca jopërparimtare do të vazhdojnë të keqpërdorin çështjet e ndjeshme për përfitime politike. Veçanërisht shqetësuese është bashkëpunimi i ngushtë midis krimit të organizuar dhe strukturave nacionaliste-populiste. Rrjetet kriminale, të mbrojtura nga elitat politike jopërparimtare, kanë më së shumti frikë nga reformat në sundimin e ligjit që sjell integrimi evropian. Integrimi i suksesshëm do të kufizonte zonat gri ku ato veprojnë”, shtoi Filipçe. Në fund, Filipçe theksoi se përgjigjja e vetme ndaj këtyre sfidave është krijimi i një koalicioni të fortë progresiv në nivel rajonal. “Për ta mposhtur këtë koalicion të zi rajonal, duhet të përgjigjemi me unitet, vendosmëri dhe bashkëpunim afatgjatë”, deklaroi Filipçe. Kujtojmë se, në samitin BE – Ballkani Perëndimor që u mbajt më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi, liderët evropian porositën vendet e Ballkanit Perëndimor të “përveshin mëngët” dhe të përshpejtojnë reformat e tyre, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i zgjerimit. Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.