Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, promovoi sot linjën e re të transportit publik falas, Tetovë – Brodec – Veshallë – Bozovcë dhe anasjelltas, një projekt që synon të përmirësojë lëvizjen e banorëve të Malësisë së Tetovës drejt qytetit.
Gjatë promovimit, Kasami theksoi se linja do të funksionojë gjashtë ditë në javë dhe do të lehtësojë qasjen e banorëve në shërbimet publike, arsimin dhe aktivitetet ekonomike në Tetovë.
“Sot kemi kënaqësinë e veçantë që nga fshati Bozovcë të promovojmë linjën e transportit publik falas, të organizuar nga Komuna e Tetovës për fshatrat Brodec, Veshallë dhe Bozovcë. Kjo linjë do të funksionojë gjashtë ditë në javë. Nisja do të bëhet në orën 07:00 nga Bozovca, ndërsa në mbrëmje, në orën 17:30, do të ketë kthim nga Tetova. Ky është një projekt që e kemi premtuar dhe sot po fillojmë zbatimin e tij për të gjithë banorët e kësaj zone”, - tha Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami njoftoi gjithashtu se Tetova pritet të përfitojë pesë autobusë elektrikë përmes një projekti qeveritar, ndërsa komuna do të sigurojë edhe pesë minibusë për banorët e Malësisë së Tetovës.
“Presim që përmes projektit të Qeverisë për mbështetjen e transportit publik të sigurojmë pesë autobusë elektrikë. Po ashtu, nga buxheti i Komunës së Tetovës do të sigurohen edhe pesë minibusë. Me këtë po zgjerojmë çdo ditë shërbimet e transportit publik për të gjithë qytetarët e Tetovës, veçanërisht për banorët e Malësisë”, - deklaroi Kasami.
Linja e re pritet të lehtësojë qarkullimin e përditshëm të banorëve dhe vizitorëve, duke ofruar një alternativë të sigurt dhe të rregullt transporti ndërmjet Tetovës dhe vendbanimeve të Malësisë së Sharrit.
