Qamili: BDI e la mangët gjuhën shqipe në gjykata
Zëvendëskryetari i Tetovës dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Albi Qamili në emisionin “Debat në Shenja” ka akuzuar BDI-në se e ka lënë me të meta gjuhën shqipe në gjykata, ndaj dhe kjo nuk ka prodhuar zgjidhje për provimin e jurisprudencës edhe në pjesën praktike. Ai ka thënë se pjesa teorike e provimit të jurisprudencës do të jetë e tëra në gjuhën shqipe. “Si mund të jetë pjesa praktike kur BDI e ka lënë gjuhën shqipe mangët në gjykata, Ju e dini mirë se në ligjin për përdorimin e gjuhëve nëpër gjykata mendim negativ pati dhënë Komisioni i Venecias i drejtuar në atë kohë nga Bujar Osmani i cili nuk mori asnjë ekspertët me vete për Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe nuk e kanë harmonizuar ligjin për procedurë penale me ligjin për përdorimin e gjuhëve”, ka thënë Qamili. Ai shprehet se si mund të pritet që në praktikat gjyqësore të jepet provimi në gjuhën shqipe kur vetë arkivi i praktikave gjyqësore është në gjuhën maqedone. “Ju e dini se para hyrjes në provimin e jurisprudencës duhet bërë një praktikë në gjykatë në bazë të Fakultetit juridik që ke kryer”, ka thënë Qamili, duke shtuar se një nga këto parime është se do të ketë zgjidhje ligjore dhe nuk do të rregullohet sa për sy e faqe. “Dhe parimi i tretë është se kjo zgjidhje do jetë e mbrojtur nga Gjykata kushtetuese që të mos na vijë rasti si balancuesi”, ka thënë mes tjerash Qamili.