Durmishi nga Çairi: Kompanitë të shfrytëzojnë mbështetjen financiare për investime
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot u bëri thirrje të gjitha kompanive që kanë realizuar investime dhe i përmbushin kushtet e parashikuara me Ligjin për Mbështetje Financiare të Investimeve që të shfrytëzojnë mundësinë për mbështetje shtetërore dhe të parashtrojnë me kohë kërkesë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës. Ministri përkujtoi se afati për dorëzimin e kërkesave është vazhduar deri më 15 qershor dhe inkurajoi kompanitë ta përdorin këtë mundësi për mbështetje plotësuese të planeve të tyre zhvillimore. “Ligji për Mbështetje Financiare të Investimeve është një nga veglat më të rëndësishme përmes të cilës shteti mbështet kompanitë që investojnë, hapin vende të reja pune dhe rrisin konkurrueshmërinë e tyre. U bëj thirrje të gjitha kompanive që kanë realizuar investime dhe i përmbushin kushtet të aplikojnë më së voni deri më 15 qershor dhe të shfrytëzojnë mbështetjen që e kanë në dispozicion të tyre. Veçanërisht më gëzon fakti që kompanitë e suksesshme nga Komuna e Çairit, si ONE Cable, Pikasa, Koral Group dhe MSA Company, edhe gjatë viteve të mëparshme i kanë shfrytëzuar me sukses masat e Ligjit dhe përmes investimeve të reja kanë kontribuar në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe kombëtare”, deklaroi ministri Durmishi. Ligji për Mbështetje Financiare të Investimeve siguron mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për kompanitë që realizojnë investime prej të paktën 100.000 euro, investojnë në kapacitete të reja prodhuese, pajisje dhe teknologji të reja, hapin vende të reja pune dhe investojnë në hulumtim dhe zhvillim. Masat parashikojnë mbështetje për punësim të ri deri në 20 për qind të pagës neto të paguar, respektivisht deri në 4.400 euro në vit për një të punësuar, mbështetje për investime kapitale deri në 10 për qind të kostove të justifikuara të investimit, por jo më shumë se një milion euro në vit, si dhe mbështetje për hulumtim dhe zhvillimin deri në 50 për qind të kostove të justifikuara, me një shumë maksimale deri në një milion euro. Ligji parashikon gjithashtu mbështetje të veçantë për projektet investuese me interes të rëndësishëm ekonomik, për kompanitë që kanë shënuar rritje të të ardhurave dhe konkurrueshmërisë së tregut, si dhe për projektet që kontribuojnë në zhvillimin teknologjik dhe hapjen e vendeve cilësore të punës. Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbetet një partner i përkushtuar i komunitetit të biznesit dhe do të vazhdojë të zbatojë politika që inkurajojnë investimet, inovacionin, produktivitetin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.