Kostovski: Pas 40 vitesh, rruga “Natanaill Kuçevishki” rindërtohet nga themeli
Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, njoftoi se ka përfunduar rikonstruksioni i rrugës “Natanaill Kuçevishki”, një projekt që, sipas tij, realizohet pas plot katër dekadash. Kostovski theksoi se nuk ka lejuar realizim jokualitativ të punimeve, duke bërë të ditur se kontraktori i parë është ndaluar dhe larguar nga projekti për shkak të cilësisë së papranueshme të punimeve. Ai falënderoi banorët e rrugës për mirëkuptimin dhe durimin e treguar gjatë realizimit të projektit. Sipas njoftimit, rikonstruksioni është realizuar në kohë rekord dhe ka përfshirë një sipërfaqe prej 3.000 metrash katrorë. “Kjo është edhe një dëshmi e përmbushjes së premtimeve dhe një hap tjetër drejt përmirësimit të infrastrukturës rrugore në Komunën e Butelit”, ka deklaruar Kostovski. Ai shtoi se besimi i qytetarëve do të justifikohet përmes punës në interes të tyre, ndërsa potencoi se ofensiva ndërtimore në komunë po vazhdon me dinamikë të fuqishme.