Agon Ferati propozohet për Ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive – profil me përvojë në reforma, qeverisje të mirë dhe integrime evropiane. Agon Ferati është një profesionist i orientuar drejt rezultateve me përvojë të gjerë në menaxhimin e projekteve, politikat publike, qeverisjen e mirë, integrimin evropian dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ai është alumn i Programit të Shkëmbimit të Këshillit Amerikan të Liderëve të Rinj Politikë (ACYPL) dhe ka ndjekur trajnime të avancuara profesionale në Institutin Robert Schuman, Universitetin Lund, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS).
Në angazhimin e tij politik, Ferati ka qenë Nënkryetari i Parë i Lëvizjes për Reforma në PDSH (LR-PDSH) që nga themelimi i saj, duke u renditur ndër figurat kyçe në profilizimin e subjektit si një forcë reformuese dhe moderne në skenën politike shqiptare. Ai ka kontribuar në ndërtimin e një vizioni politik të bazuar në hapjen e partisë ndaj gjeneratave të reja, përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, zhvillimin ekonomik, barazinë sociale dhe funksionimin e shtetit ligjor.
Ferati është një mbështetës i vendosur i reformave institucionale dhe strukturore, me fokus në rritjen e efikasitetit të administratës publike, përmirësimin e qeverisjes dhe nxitjen e investimeve kapitale. Ai shquhet për aftësitë e tij diplomatike, komunikimin efektiv dhe bashkëpunimin e ngushtë me faktorë dhe partnerë ndërkombëtarë.
Një ndër sukseset më të rëndësishme të tij politike konsiderohet konsolidimi dhe shtrirja e fuqishme e LR-PDSH-së, e cila më vonë u riemërua në Aleanca për Shqiptarët (ASH), në rajonin e Pollogut. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, në cilësinë e Shefit të Shtabit Zgjedhor për Zonën Zgjedhore 6, ai udhëhoqi me sukses strukturat partiake drejt fitoreve në komunat e Bogovinës, Vrapçishtit dhe Gostivarit, duke kontribuar në forcimin e pozitës së subjektit në nivel rajonal dhe kombëtar.
Pas kësaj periudhe, Ferati dha dorëheqje nga funksionet politike dhe që nga viti 2020 nuk është aktiv në politikë, duke e orientuar karrierën e tij në fushën e menaxhimit të projekteve dhe fondeve evropiane. Në këtë sektor ai ka qenë pjesë e ekipeve profesionale që kanë zhvilluar dhe zbatuar me sukses mbi 16 projekte të ndryshme në fushat e infrastrukturës, përfshirjes sociale, bujqësisë dhe agronomisë, mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit lokal dhe forcimit të kapaciteteve institucionale. Vlera e përgjithshme e projekteve në të cilat ai ka kontribuar si pjesë e ekipeve zbatuese dhe menaxhuese vlerësohet ndërmjet 12 dhe 14 milionë eurove, duke reflektuar përvojën e tij të konsiderueshme në menaxhimin e iniciativave komplekse dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e komuniteteve dhe institucioneve.
I njohur për mendimin strategjik, aftësinë për të ndërtuar partneritete efektive dhe lidershipin në hartimin dhe zbatimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, Agon Ferati vazhdon të kontribuojë në promovimin e zhvillimit demokratik, qeverisjes së mirë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke mbështetur politika dhe iniciativa të bazuara në evidencë, me synim zhvillimin e qëndrueshëm dhe avancimin e perspektivës evropiane të vendit.
