Bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë, duke theksuar rëndësinë e miqësisë dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve. Në mesazhin e tij, ai vlerësoi se SHBA-ja mbetet një aleat dhe mik i dëshmuar i shqiptarëve dhe i Maqedonisë së Veriut.
“Sonte shënuam 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin kur populli amerikan kremton 250-vjetorin e lindjes së shtetit të tij.
Ka data që i përkasin një kombi, por frymëzojnë shumë kombe. 4 Korriku është njëra prej tyre. Është kujtesë se liria nuk lind rastësisht; ajo ndërtohet me guxim, me vizion dhe me besim te e ardhmja.
Për ne, Shtetet e Bashkuara mbeten më shumë se një aleat. Janë një mik i dëshmuar në kohët më vendimtare të historisë sonë dhe një partner me të cilin ndajmë bindjen se demokracia, liria dhe përgjegjësia janë vlera që duhen mbrojtur çdo ditë.
Urime 4 Korriku dhe 250-vjetori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qoftë miqësia jonë po aq e qëndrueshme sa vlerat mbi të cilat është ndërtuar”, ka shkruar Mexhiti.
