Populizmi si mjet për përçarje dhe manipulim të Malësisë
Shkruan: Albert Bikaj Ditëve të fundit kemi lexuar deklarata të ndryshme mbi përfundimin e arbitrazhit midis Komunës së Podgoricës dhe Tuzit. Ndër to bien në sy reagimet e forta, me gjuhë të ashpër, akuzuese, populiste dhe alarmuese. Disa madje po flasin për “tradhti”, gjoja se Malësia po “shitet” dhe se po “rrezikohet” nga Forumi Shqiptar! Çfarë absurditeti! Forumi Shqiptar, asokohe koalicion, jo vetëm që e ka pavarësuar Komunën e Malësisë nga Podgorica, por edhe e ka zhvilluar dukshëm në çdo drejtim! Keqinterpretimi i çështjes së arbitrazhit është shembull klasik i populizmit dhe manipulimit. Përfaqësuesit e Tuzit në arbitrazh, me në krye z. Nik Gjeloshaj, e kanë shpjeguar qartë të vërtetën e bisedimeve në lidhje me kufijtë e Komunës së Tuzit. Ajo bazohet në hartën kadastrale për Komunën e Tuzit që i takon vitit 1952, për të cilën pala malësore ka paraqitur kërkesat për korrigjim dhe ka insistuar për kthim të vendbanimeve që tradicionalisht i takojnë Malësisë. Nga këto të fundit nuk kanë hequr dorë për asnjë çast, e jam i bindur se nuk do të tërhiqen. Prandaj, të dashtun malësorë, kudo që ndodheni, mos bini pre e mashtrimeve as populizmave. Populizmi zakonisht shtrembëron faktet, pasi synon t’i demonizojë kundërshtarët politikë. Kështu tentojnë t’i banalizojnë, dramatizojnë dhe t’i keqinterpretojnë problemet. Në këtë mënyrë krijohen përfundime të gabuara; krijohet ndjenja e rrezikut, preken emocionet dhe qytetarët irritohen. Kjo është strategjia tradicionale e populistëve për të fituar mbështetje nëpërmjet manipulimit me retorikë të thjeshtë, kontradiktore, herë gjoja qytetare, herë “patriotike”. Varet nga audienca. Vetë fakti se këtë narrativë po e mbështet me të madhe një kategori personash që jo vetëm se ishin e janë kundërshtarë politikë të formimit të Komunës së Tuzit, por edhe mohues të rrënjëve shqiptare të kësaj treve, flet mjaftueshëm. Mbase kanë arsyet e veta, pasi një pjesë e tyre janë ende jugonostalgjikë, disa të tjerë lokalistë që preferojnë gjuhë dhe identitet tjetër (me të drejtën e tyre). Natyrisht, këto kategori lidhen me ish-pushtetin ose, më saktë, keqmenaxhuesit e Komunës Urbane të Tuzit për 30 vjet. Pjesa tjetër e këtij komuniteti nuk është vendase për nga gjuha, tradita, as bindja politike. Kuptohet, janë të ardhur në këto treva me të drejtën e tyre qytetare; rrjedhimisht, kanë interesa, bindje dhe qasje tjetër politike nga ne. Si dikush që beson në parimet e demokracisë moderne, them se është e drejtë e çdokujt të mbajë qëndrimet e veta, ashtu siç është e jona të mbajmë, ruajmë dhe kultivojmë identitetin tonë autokton shqiptar. Gjë për të cilën jam i bindur se Forumi Shqiptar po e arrin me sukses në Malësi. Jo me parulla e retorikë boshe, por me punë konkrete dhe rezultate të prekshme. Prandaj, Malësia është në duar të sigurta!