“Ka vende ku historia kalon si një lumë dhe ka vende ku ajo mpikset në gjak. Srebrenica është njëra prej tyre”, ka shkruar në faqen e tij zyrtare në facebook kryetari i Komunës së Çairit dhe një nga bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti, në përkujtim të përvjetorit të gjenocidit të Srebrenicës.
Mexhiti gjithashtu ka theksuar se Srebrenica nuk është vetëm një datë në kalendarin e tragjedive njerëzore, por një plagë që i kujton botës se qytetërimi nuk është një gjendje e fituar përgjithmonë.
Sipas Mexhitit, mjafton që urrejtja të marrë pushtetin dhe heshtja të justifikohet, që errësira të rikthehet sërish.
Mexhiti vlerëson se varret e Srebrenicës nuk mbajnë vetëm eshtrat e mijëra viktimave të pafajshme, por edhe peshën e ndërgjegjes së njerëzimit, i cili, siç shprehet, pa, vonoi dhe nuk arriti ta ndalte tragjedinë.
Sipas Mexhiti Srebrenica nuk duhet të kujtohet vetëm me ceremoni dhe lule, por si një paralajmërim i përhershëm se harresa është aleatja më besnike e krimit, ndërsa kujtesa mbetet forma më e lartë e drejtësisë për ata që nuk patën mundësi të mbroheshin.
