“Teatri është forma më e fuqishme e artit për ta vendosur njeriun përballë vetes. Ai nuk jep gjithmonë përgjigje, por na shtyn të bëjmë pyetjet më të rëndësishme”, ka shkruar kryetari i Komunës së Çairit dhe njëri nga bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti, pas pjesëmarrjes në premierën e dramës “Babai” në kuadër të festivalit “Vera e Ohrit”.
Sipas Mexhitit, drama e autorit Florian Zeller, me regji të Ivan Popovskit, trajton me ndjeshmëri temën e demencës, humbjes graduale të kujtesës dhe barrës emocionale që kjo sëmundje lë mbi të prekurit dhe familjet e tyre.
Mezhiti vlerësoi se bëhet fjalë për një vepër që i bën shikuesit të reflektojnë mbi brishtësinë e kujtesës, por edhe mbi rëndësinë e dashurisë, durimit dhe përkushtimit përballë sfidave më të mëdha të jetës.
Në statusin e tij, Mexhiti gjithashtu shprehu kënaqësinë që në këtë shfaqje luan aktori i mirënjohur Bajrush Mjaku, të cilin e cilësoi si një prej figurave më të mëdha të teatrit shqiptar, duke theksuar se ai vazhdon t’i japë skenës peshën dhe dinjitetin që e kanë karakterizuar gjatë gjithë karrierës së tij.
Mexhiti bëri të ditur gjithashtu se Komuna e Çairit ishte ndër mbështetëset e premierës së kësaj shfaqjeje, duke nënvizuar se investimi në kulturë është investim në vepra që lënë gjurmë, nxisin reflektim dhe pasurojnë jetën artistike të shoqërisë.
Në fund, ai uroi që drama “Babai” të ketë rrugëtimin që meriton dhe të prekë çdo spektator me forcën e mesazhit që përcjell.
