GazetaMax
Lajme

Banorët e Lubotenit ende problem me ujin e pijshëm, Kostovski vetëm premton

Shkup, 5 shkurt – Banorët e fshatit Luboten të komunës së Butelit me dekada nuk e shfrytëzojnë për pije ujin që rrjedh në çezmat e tyre. Sipas banorëve, uji që vjen nga ujësjellësi mbi fshat është vazhdimisht i turbullt, ndërsa gjatë reshjeve të shiut uji bart me vete rërë dhe baltë. Banorët thonë se kjo ndodhë për shkak të mos mirëmbajtjes së ujësjellësit dhe punimeve të paligjshme mbi të. Lubotenasit, për momentin ujë për pije mbushin në dy çezmat e fshatit.

“Me cisterna dikush, kush ka. U premtua qe 30 vjet, s’ka ujësjellës. Vetëm votat kur vijnë me i marr premtojnë pastaj s’ka asgjë”, tha një banor.

“Problemi me ujësjellësin është i kamotshëm, tashmë 30 vjet. Premtimet janë të mëdha ndërsa në realitet asgjë nuk bëhet”, shtoi një tjetër banor.

“Në fillim ka qenë shumë i mirë, kur u bë ujësjellësi u bë në rregull sikur që kërkohet, por më vonë kanë dashur të shtojnë kapacitetin e ujit edhe tash nuk pihet ai ujë, i papastër. Kur bie shi vjen i turbullt”, theksoi një banor tjetër.

Banorët e Lubotenit ankohen edhe për dëme të mëdha në pajisjet shtëpiake si rezultat i ujit të papastër.

“Duhet sërish ta bëjnë ujësjellësin. Tash fshati është zgjeruar, s’ka ujë mjaftueshëm dhe duhet të punohet. Atëherë punuan pak, e lan në gjysmë dhe ashtu mbet. Vjen me rërë se nuk është e rregulluar, s’ka filtër”, tha një banor.

Kryetari i Butelit, Darko Kostovski tha për Alsat se zgjidhja për banorët e Lubotenit është lidhja me ujësjellësin e Shkupit.

“Me partnerin tonë strategjik tashmë jemi në përfundim të një projekti dhe shpresojmë që nga ai shtet do të marrim fonde që Luboteni dhe Lubanca të lidhen me ujësjellësin e Shkupit. Nga hulumtimet që kemi bërë kjo është zgjidhja më e mirë dhe përfundimisht këto dy vendbanime të kenë ujë. Gjithçka po rrjedh ashtu si duhet dhe shpresoj që do të sigurohen mjetet diku në vlerë rreth 1 milion dollarë”, tha Darko Kostovski, kryetar i Komunës Butel.

Fshati Luboten numëron mbi 600 shtëpi. Ky vendbanim njihet për ujin cilësor që ka pasur ndër vite në çezmat që ndodhen në mes të fshatit. Ndërtimi i tyre është bërë nga vet banorët, ndërsa në të përveç banorëve mbushin uji edhe rajone të ndryshme të vendit.

Related posts

Pa punëtorët e Ballkanit ndërtimtaria në Gjermani paralizohet

Gazetamax.mk

MASH kërkon dialog, Shaqiri: Shpresoj të martën të fillojë mësimi

Gazetamax.mk

Lokalizohet zjarri në Drenovec të Tetovës, duke mos lejuar që të afrohet te shtëpitë

Gazetamax.mk