Donnarumma rikthehet në Serie A, huazim me të drejtë blerjeje.
Sezoni i parë i Gianluigi Donnarummas tek skuadra e Paris Saint Germain nuk shkoi aspak sipas planeve të tij dhe zërat për largim kanë filluar tashmë.
Duke u bazuar në burime të afërta me PSG, La Gazzetta dello Sport ka bërë të ditur se ish gardiani i Milanit ka shprehur dëshirën për tu rikthyer në Serie A.
Në Itali është vetëm një skuadër që ka mundësinë për transferimin e tij dhe ajo është Juventus, e cila me anë të Paraticit për pak se nuk e mori atë nga Milan.
Zonja e Vjetër tashmë ka për synim që të shesë fillimisht Szczesnyn dhe pastaj do të krijohen mundësitë për afrimin e Donnarummas.
Me një pagë prej 12 milionë eurosh, Gigi fillimisht do të vijë në formë huazimi me të drejtë blerjeje dhe në rast se përmbushë pritshmëritë e klubit atëherë kjo e drejtë do të ushtrohet nga Agnelli.