GazetaMax
BALLINA

Historike/ Grubi në Tiranë firmos marrëveshjen për port të thatë më Strugën

Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi, sot në Tiranë ka nënshkruar “Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për zhvillimin e projekteve infrastrukturore, sigurinë logjistike dhe efikasitetin e transportit të mallrave ndërmjet dy vendeve”.

Grubi me këtë rast ka mbajtur edhe një fjalim rasti para të pranishmëve.

“Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut t’ju përgëzoj për këtë iniciativë, për këtë investim që paraqet një dimension inovativ dhe modern në hapësirat tona. Ky projekt tejkalon përmasat e një projekti kombëtar, ai është i një rëndësie strategjike për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Grubi.

Me këtë rast, ky moment është përshkruar si historik për faktin se është nënshkruar një marrëveshje e fuqishme për bashkëpunim mes dy vendeve për port të thatë me qytetin e Strugës.

 

Në vazhdim fjalimi i plotë:

Kam kënaqësinë të jem në mesin tuaj sot për të dëshmuar dhe për t’u bërë pjesë e të ardhmes nëpërmjet një qasjeje krejtësisht kreative, bashkëkohore dhe transparente nga ana e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, kësaj rradhe përmes mega projektit të Portit të Durrësit, jashtëzakonisht të rëndësishëm për ekonominë dhe turizmin shqiptar, me një impakt sinjifikativ edhe në zhvillimin ekonomik të vendit tim.

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut t’ju përgëzoj për këtë iniciativë, për këtë investim që paraqet një dimension inovativ dhe modern në hapësirat tona. Ky projekt tejkalon përmasat e një projekti kombëtar, ai është i një rëndësie strategjike për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Aq më tepër, peshën e këtij projekti, të cilit ju i jeni përveshur punës për ta realizuar në raport me vendin tim, e shton projekti që është prioritar në fokusin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërtimi i Korridorit 8 rrugor dhe hekurudhor që do të lehtësojë dhe modernizojë qarkullimin e bashkëqytetarëve të mi deri në hapësirat e Portit të Durrësit, por edhe Shqipërisë në përgjithësi.

Dy projekte madhore, investime që do t’u mbeten në shërbim gjeneratave të popullit dhe që do të përforcojnë edhe më shumë lidhjen e pashkëputshme mes qytetarëve të vendeve tona dhe mes vendeve të Ballkanin Perëndimor.

Për ta thjeshtësuar, po ndërtojmë autostradë me 6 korsi nga Shkupi gjer në Qafë Thanë që do zvogëlon distancën Shkup – Tiranë në 2.5 orë, Shkup – Vlorë në 3 orë. Për ta shfrytëzuar në maksimum edhe qasjen në port, po planifikojmë të nisim edhe lidhjen hekurudhore Shkup – Kërçovë – Pogradec – Durrës.

Në janar, bashkojmë dy kontrollet kufitare në një të vetëm me synimin për t’i hequr përfundimisht kufijtë mes nesh dhe shpresoj që këtë të bëjmë edhe me Kosovën gjatë vitit të ardhshëm.

Po ndërtojmë edhe lidhjen interkonektive energjetike midis nesh me dy projekte, trafo-stacionin në Ohër dhe lidhja e tensionit të lartë Manastir-Elbasan.

Të nderuar,

Të shumtë janë skeptikët që nuk besojnë në realizimin e projekteve që kemi marrë përsipër për t’i bërë bashkë, për të hequr kufijtë midis nesh, të shumtë janë dhe do të jenë ata që do të përpiqen të bëjnë obstruksione, të nënvlerësojnë peshën e projekteve, por është detyrë e jona të vazhdojmë punën duke i menduar brezat e ardhshëm dhe atë se çfarë mund t’ju lëmë sot trashëgimi dhe bazament për të ardhme të shëndoshë.

Një risi të cilën bashkë me kryeministrin Rama e diskutuam në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive tona, ishte edhe ndërtimi i një Porti të thatë në qytetin e Strugës, një dimension i ri dhe kreativ komunikimi që padyshim se do të kontribuojë në përforcimin e këmbimit tregtar mes dy vendeve dhe është pjesë e pandarë e ndërtimit të portit të ri të Durrësit.

Erdhi dita që këtë ide të shprehur ta formalizojmë sot edhe me nënshkrimin e marrëveshjes për realizimin e saj. Qofshin të shumta projektet e përbashkëta mes vendeve tona!

Dua ta falënderoj veçanërisht kryeministrin Rama dhe Qeverinë shqiptare për zemërgjerësinë, gatishmërinë dhe vendosmërinë për ta ndarë qasjen në port me Maqedoninë e Veriut dhe me Kosovën.

Për në fund, më lejoni që t’ju përgëzoj edhe njëherë për angazhimin dhe projektimin deri në detaje mbresëlënëse të këtij projekti, duke ju dëshiruar punë të mbarë në realizimin e tij.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!”

Related posts

Grubi: Hiqen maskat në hapësira të mbyllura

e-max

Gazetarët Pa Kufij: Shqipëria pëson rënie, Kosova përmirësim në Treguesin e Lirisë së Shtypit

e-max

Kush është i rradhës? SHBA përgatit listë me 19 emra politikanë në listën e zezë, një verë të nxehtë në rajon…

e-max