HuffPost raporton për protestën në Tiranë: Përplasje mes protestuesve dhe policisë, kërkohet dorëheqja e Ramës

Mediumi amerikan HuffPost ka raportuar për protestën e mbajtur të shtunën në Tiranë, ku demonstruesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas muajsh protestash kundër qeverisë.

Sipas raportimit, protesta, e organizuar nga studentët dhe e mbajtur në Ditën e Pavarësisë, u shoqërua me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Demonstruesit hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të policisë së rendit, ndërsa kjo e fundit u kundërpërgjigj me topa uji, gaz lotsjellës dhe plumba gome.

HuffPost shkruan se pakënaqësitë lidhen me perceptimin për korrupsionin në qeveri, mungesën e vendeve të punës dhe standardet e dobëta të arsimit. Protestat në Tiranë kanë nisur që nga mesi i tetorit dhe më pas janë përhapur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Sipas raportimit, gjatë protestave të mëparshme janë djegur ndërtesa qeveritare dhe banka, janë thyer vitrina të dyqaneve dhe janë shkëputur gurë nga trotuaret, të cilët më pas janë hedhur në drejtim të policisë.

Edhe gjatë protestës së së shtunës, disa demonstrues të maskuar hodhën gurë në drejtim të një ndërtese qeveritare dhe tentuan të afroheshin te zyra e kryeministrit Rama, por u penguan nga policia, sipas një gazetari të Reuters që ndodhej në vendngjarje.

HuffPost citon edhe protestuesen Eralda Baze, 45-vjeçare, e cila mori pjesë në tubim dhe shprehu pakënaqësinë e saj me gjendjen në vend.

“Na ka ardhur në majë të hundës; korrupsioni, varfëria, emigrimi”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, protestues të tjerë kërkuan kushte më të mira jetese dhe përmirësim të shërbimeve shëndetësore.

Burimi:botasot.info