GazetaMax
Lajme

Në kulmin e tensioneve Kosovë – Serbi, Rama dhe Kovaçevski pro Ballkanit të Hapur!

Shkup, 15 nëntor – Tetori i vitit 2019 ishte pika e kthesës në historinë e Ballkanit Perëndimor. Gjithçka filloi në Novi Sad pas një takimi të tre kryeministrave nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Fillimisht nuk treguan pse po takohen Rama, Vuçiq dhe Zaev, por më pas thanë se mbledhja pati karakter ekonomik. “U zotuam për zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve”, thanë kryeministrat. E më pas e quajtën “Mini-shengen”. Por, më vonë në takimin e radhës të shteteve anëtare, “minishengeni” ballkanik u pagëzua me emrin Ballkan i Hapur. Dhe, nga kjo ecuri e këtij procesi ndalemi dhe shohim se kjo ide ka lindur në Novi Sad të Serbisë, dhe nuk politikan apo lider që mund ta mohojë faktin se ideja e Ballkanit të Hapur, është ide puro serbe dhe me rrënjë në Serbi, shkruan Zhurnal.

Rama dhe Kovaçevski me mesazh: Ballkani i Hapur duhet të vazhdojë, është në përputhje me procesin e Berlinit-

Këto mesazhe shihen si të pamatura sidomos në kohën që ka tensione të shprehura mes dy shteteve fqinje Kosovës dhe Serbisë, kryeministrat Rama dhe Kovaçevski me këtë mesazh skandaloz favorizojnë hartuesin e kësaj ideje Serbinë në krye me Aleksander Vuçiq. Përpos që i japin përparësi Serbisë, shkojnë tutje duke e bërë të njëjtë procesin e Berlinit me idenë e Vupiqit, e shtohet pyetja nëse kemi të bëjmë me një proces krejtësisht të njëjtë, cila ishte arsyeja e hartimit të një ideje të re, si Ballkani i Hapur?.

Por si qëndron e vërteta, çfarë përmban Procesi i Berlinit dhe çfarë dallon nga Ballkani Hapur?

Procesi i Berlinit është një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania, qëllim i së cilës është lehtësimi i bashkëpunimit rajonal në mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (WB6) – Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, me vizionin që t’iu ndihmohet në përmbushjen e kritereve për të u anëtarësuar në Bashkimit Evropian. I nisur në vitin 2014 nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, komponenti i tij më i rëndësishëm i procesit të Berlinit, është e ashtuquajtura “Agjenda e Konektivitetit”, e cila fillimisht synon që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i lidhë mes vete në fushat e transportit dhe energjisë, dhe më vonë kjo lidhje të zgjerohet edhe në shkëmbimin për rininë dhe në bashkëpunimin ekonomik.

Agjenda e Konektivitetit synon përmirësimin e koneksionit në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve të BE-së. Përmirësimi i lidhjeve në infrastrukturë sjell përfitime të dukshme për ekonomitë dhe banorët e rajonit.

Një proces i filluar 8 vite më parë i iniciuar nga zonja e hekurt, Angela Merkel, për të mirën e rajonit dhe lehtësimin e rrugëtimit për BE, nuk është realizuar në tërësi. Tani, kur projektet e filluara nga Merkel nuk përmbushen, çfarë nevoje ka rajoni të ketë projekte të iniciuara nga Vuçiqi. Kur gjithë liderët evropianë, e në veçanti pasuesi i Merkel, Olaf Scholz, vazhdimisht apelon që fokusi të kthehet te Procesi i Berlinit.

Çfarë përmban “Ballkanit i Hapur”?

Ideja e Ballkanit të Hapur është ide pas së cilës fshihet ideatori, ka filluar me enigmë e me thirrje për bashkëngjitje për gjitha shtetet e rajonit, por që deri më tani nuk ka rezultuar e suksesshme.

Nisma “Ballkani i hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale. Megjithatë, kryeministri i ri, Dritan Abazoviq e mbështet konceptin e kësaj nisme. Por, Kosova që nga fillimi ka hedhur poshtë një mundësi të tillë edhe përkundur presionit të Rames i cili e luan rolin e “tellallit” të Vuçiqit.

Në vete kjo ide përmban marrëveshje bashkëpunuese vetëm mes shteteve që e mbështesin këtë ide, dhe shtetit propozues të idesë, Serbisë, por po të njëjtat marrëveshje e qëllime bashkëpunimi janë paraparë në Procesin e Berlinit. Pra, ka qenë e nevojshme që këto marrëveshje të nënshkruhen e të futen në zbatim në emër të Procesit të Berlinit, e jo në emër të një ide ku ende ideatori mbahet sekret nga shtetet pjesëmarrëse, edhe pse dihet më.

Ballkani i Hapur tenton të zëvendësojë Procesin e Berlinit

Tentimet për të zëvendësuar idenë e Merkelit me atë të Vuçiqit janë të pakuptimta dhe të panevojshme, madje janë tejet të dëmshme për vendin dhe rajonin. Prandaj, nuk ka nevojë për një bashkëpunim të iniciuara nga ide të reja, kur diçka e tillë veçse se ekziston qysh tetë vite më parë. Sikurse thirrjet e kancelarit gjerman që janë të vazhdueshme për fokusim në Procesin e Berlinit.

Një nismë e tillë largon shtet nga Procesi i Berlinit, gjegjësisht anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vuçiq bashkë me Ramen duan ta kërcënojnë BE-në se kinse paskan alternativa tjera të zhvillimit të rajonit, pra me këtë dërgohet mesazh se munden edhe pa BE-në, e kjo i hap rrugë e terren të përshtatshëm ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe, një iniciativë rajonale që të ketë sukses ajo duhet të përmbush minimalisht tre elementet kyçe: Një të ketë gjithëpërfshirje politike. E dyta të këtë fonde për të implementuar projektet rajonale, dhe e treta  të ketë strukturë administrative që do të monitorojë zbatimin e zotimeve politike. Iniciativa e Mini-Shengenit e emëruar me Ballkan të Hapur nuk ka përmbushur, dhe nuk përmbush, asnjërin nga këto tre kritere bazë, sepse Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk do të bashkëngjiten në këtë iniciativë e cila është fuqizuese për Serbinë. /Zhurnal.mk

Related posts

Prokurorët hyjnë në MPB, sekuestruan dokumentet lidhur me rastin “Besa Trans”

Gazetamax.mk

Për shkak të mjegullës është zvogëluar dukshmëria afër Demir Kapisë

Gazetamax.mk

Skiliftet nuk punojnë, skijuesit ia mësyjnë malit në këmbë në Kodrën e Diellit

Gazetamax.mk