GazetaMax
Ballina

Pandemia po zbehet, por s’ka përfunduar

Pandemia e COVID-19 po kalon në një fazë endemike në shumë vende të botës, por nuk mund të quhet e përfunduar. Kështu mendon, William Schaffner, profesor i Mjekësisë në Divizionin e Sëmundjeve Infektive në Qendrën Mjekësore Universitare Vanderbilt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Schaffner flet lidhur me “largimin e shpejtë” të masave mbrojtëse në disa vende të Evropës, si dhe rënies së interesimit në vaksinim. Shqetësuese, sipas profesorit, mbetet mundësia e përhapjes së ndonjë varianti të ri që do të ishte në gjendje t’i shmanget mbrojtjes nga vaksinat e tanishme kundër COVID-19.

Schaffner flet edhe për mësimet që bota duhet t’i marrë nga kjo pandemi që të jetë më e përgatitur për përhapjen eventuale të ndonjë sëmundjeje tjetër ngjitëse në të ardhmen.

Do të doja të fillonim me pyetjen më të shpeshtë në lidhje me pandeminë së fundmi, a po përfundon?

Në realitet, po zbutet. Pandemia po zbutet në shumë pjesë të botës, veçanërisht në botën e zhvilluar, por edhe në disa pjesë të botës në zhvillim. Nuk mund të themi se [pandemia] ka përfunduar. Kjo po keqkuptohet nga publiku. Ne po lëvizim nga pandemia në atë që e quajmë endemi. Kjo do të thotë që ka nivele të vogla të sëmundjeve të rënda të shkaktuara nga virusi në mesin e personave të vaksinuar dhe me vaksina përforcuese.

Ende do të ketë një nivel të konsiderueshëm të transmetimit dhe kjo do të rezultojë në sëmundje të lehtë. Kjo mund të prodhojë një ftohje të zakonshme ose ftohje të keqe. Ne nuk shqetësohemi lidhur me këtë nga pikëpamja e shëndetit publik. Nëse mund t’i mbajmë njerëzit larg spitaleve, t’i shpëtojmë nga vdekja, kjo do të ishte një fitore e madhe e shëndetit publik. Por, neve do të na duhet të merremi me COVID-19 në vitet që vijnë në një mënyrë që është deri diku e ngjashme me mënyrën se si merremi me influenzën ( gripi i rëndomtë).

 Nëse po flasim për javët apo muajt në vazhdim, a mendoni se jemi në pikën kur mund ta trajtojmë këtë koronavirus sikurse gripin e zakonshëm apo koronaviruset tjera që janë endemike?

Sigurisht, të paktën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mendoj se SHBA-ja, në përgjithësi, po lëviz ose ka lëvizur në këtë drejtim. Maskat po largohen, njerëzit po kthehen te bizneset, po shkojnë në restorante, shërbimet fetare dhe të ngjashme, në hapësira të mbyllura. Pra, gjërat po lëvizin në atë drejtim qartësisht. Megjithatë, ne gjithmonë duhet të shqetësohemi se diku në botë, një variant i ri mund të shfaqet, që mund t’i shmanget mbrojtjes që ofrohet nga vaksinat e tanishme. Por, deri më tani, fatmirësisht, kjo nuk ka ndodhur akoma. Por, ne duhet të jemi vigjilentë për këtë, sepse, nëse kjo ndodh, neve ndoshta do të na duhet të kthehemi te maskat dhe të mbajmë distancën shoqërore. Të paktën në SHBA kjo do të ishte një situatë shumë e vështirë, sepse mendoj se publiku i gjerë dëshiron të tejkalojë pandeminë. Duan ta lënë prapa.

Nëse flasim në kontekstin e Evropës, shumë vende evropiane i kanë larguar masat mbrojtëse ndaj COVID-19. Çfarë mendoni se duhet të kenë parasysh shtetet kur largojnë masat mbrojtëse?

Lidershipi i shteteve ka një detyrë shumë të vështirë. Ata po ecin në një litar të ngushtë dhe po mbajnë në duar një stafetë. Në njërën anë, janë njerëzit e shëndetit publik që duan të lëvizin ngadalë dhe me kujdes (në heqjen e masave), sepse janë të shqetësuar për vdekjen e njerëzve dhe ndikimin në sistemin shëndetësor. Në anën tjetër, janë të gjitha aspektet shoqërore, ekonomike e kulturore ku njerëzit duan të hapen. Kështu që, është shumë e vështirë ta dinë se si ta balancojnë këtë.

Unë mendoj se në përgjithësi jemi hapur shumë shpejt, do të duhej ta bënim më ngadalë. Dhe më pas, erdhi një variant i ri i COVID-19, ose nën-variant i Omicronit, BA.2 që është edhe më ngjitës se Omicroni dhe kjo po shkakton gjithë këto raste në Evropë. Por, fatmirësisht, vaksinat ende ofrojnë mbrojtje në përgjithësi të mirë ndaj sëmundjes së rëndë. Ende mund të infektoheni lehtë, por vaksinat ende funksionojnë.

Kur flasim për vaksinimin, bota ende nuk ka arritur një përqindje të mjaftueshme të vaksinimit. Sa shqetësuese është kjo nëse marrim parasysh një valë të re të infektimeve?

Ky virus që po qarkullon tash, Omicroni dhe versioni BA.2, nëse i infektojnë personat e pavaksinuar, mund të bëjnë që këta persona të përfundojnë në spital. Dhe, nëse shikojmë personat e hospitalizuar në SHBA tani, shumica prej tyre janë të pavaksinuar ose jo të vaksinuar plotësisht.

Pra, ky virus ende mund të shkaktojë dëm nëse nuk e keni marrë vaksinën.

A mendoni se largimi i masave mbrojtëse dhe obligimit për vaksinim mund të ndikojë në hezitimin për imunizim te personat që ende nuk janë vaksinuar?

Përgjigja e shkurtë është po, sepse sidomos në SHBA tani rastet dhe hospitalizimet po bien dhe njerëzit e pavaksinuar nuk kanë shumë motivim për t’u vaksinuar në këtë kohë. Pra, po, futja nën kontroll e pandemisë e bën më të vështirë që t’i bindim personat e pavaksinuar që të vaksinohen. Tani, për shembull, varianti Omicron ka depërtuar në Hong Kong dhe po shkakton shumë raste të reja, sepse nuk e kanë vaksinuar një shumicë të popullatës së tyre.

Varianti Omicron është quajtur variant më i lehtë pasi nuk ka shkaktuar sëmundje të rëndë. Nga ajo që dimë në zhvillimin e koronaviruseve, a mendoni se një variant i ri do të mund të shkaktonte sëmundje më të rëndë?

Ende nuk është fenomen shumë i njohur. Shumë njerëz sikurse unë, mendojnë se ka të bëjë me probabilitet statistikor. Mund të ketë variante të reja që zhvillohen diku në botë që kanë aftësinë të shmangin mbrojtjen nga vaksinat e tanishme. Dhe, nëse kjo ndodh dhe nëse ai variant potencial mund të ketë aftësinë e transmetimit të shpejtë, atëherë do të kishim një problem të madh gjithkund, sërish. Pra, është shumë e vështirë të parashohim se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Çfarë ne duhet të bëjmë është të mundohemi të mbrojmë sa më shumë njerëz që është e mundur tani dhe më pas të jemi të përgatitur që ndoshta të zhvillojmë një vaksinë të re.

Gjithashtu, duhet t’i edukojmë njerëzit se COVID-19, edhe pse është zbehur, ende nuk ka përfunduar. Ne duhet të mësohemi të jetojmë me COVID-19 siç jetojmë me Influenzën.

Cila është vaksina për dezinformata?

Cilat mendoni që janë disa nga mësimet që bota i ka mësuar ose duhet t’i mësojë në lidhje me atë se si duhet të trajtohet një pandemi, në veçanti në lidhje me investimet në sistemin e shëndetësisë publike?

 Është një listë e gjatë. Por, do të thosha dy gjëra. Së pari: komunikimi është shumë i rëndësishëm. Mendoj se shumë njerëz që punojnë në shëndet publik do ta kishin këtë në fillim të listës. Brenda çdo shteti duhet të ketë komunikim të qartë, të qëndrueshëm dhe të bazuar në shkencë. Komunikimi në parim do të duhej të vinte nga autoritetet e shëndetit publik me një mbështetje nga lidershipi politik. Kur komunikimi vjen në parim nga autoritetet politike, patjetër që merr një mbështjellje politike dhe ka gjasë të bëhet kundërthënës. Pra, komunikim i qartë, i mirë dhe i bazuar në shkencë.

Së dyti, ne duhet ta fuqizojmë përgjigjen e institucioneve të shëndetit publik në të gjitha fushat. Do të ketë pandemi të tjera në të ardhmen, ne nuk e dimë kur. Nuk e dimë se ku do të fillojnë dhe nuk e dimë se cili virus do ta nisë atë. Prandaj ne duhet të jemi të përgatitur të merremi me pandemi të reja. Bota është më e vogël se kurrë më parë. Dhe, pa marrë parasysh se ku fillon virusi, mund të transmetohet nëpër gjithë botën brenda disa javëve. Prandaj, ne duhet të punojmë më mirë në një përgjigje globale ndaj pandemive.

Related posts

Grubi: Çerdhja “Fidani” në Çair përfundon në Korrik (Video)

Gazetamax.mk

Familja shqiptare pronare e restorant Aris në Jesolo, surprizon dy yjet e muzikës shqiptare

Gazetamax.mk

A i bëjnë fëmijët hiperaktivë ëmbëlsirat?

Gazetamax.mk