PD depoziton 28 amendamente për buxhetin: minimum jetik 20 mijë lekë dhe TVSH 6% për energjinë

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike (PD) ka depozituar 28 amendamente për buxhetin e shtetit dhe paketën fiskale të vitit 2027, para seancës së sotme plenare në të cilën Kuvendi i Shqipërisë pritet t’i votojë ato. Propozimet i prezantoi të mërkurën kreu i grupit, Gazment Bardhi, pas mbledhjes së deputetëve demokratë.

Sipas Bardhit, qëllimi i amendamenteve është që buxheti të kthehet, siç tha ai, nga financim për korrupsionin në financim për shërbimet ndaj qytetarëve. Ndër propozimet kryesore janë vendosja e minimumit jetik në 20 mijë lekë në muaj, rritja me 30 deri në 50 për qind e pagave në administratën publike dhe ulja në 6 për qind e TVSH-së për ujin dhe energjinë.

Demokratët kërkojnë gjithashtu pagën e 13-të për mësuesit e arsimit parauniversitar, rritjen me 30 për qind të pagave në shëndetësi dhe trefishimin e fondeve për ish-të përndjekurit politikë. Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), PD propozon edhe shkurtimin me 20 për qind të shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore, pezullimin e pagesave për inceneratorin e Tiranës dhe për çdo partneritet publik-privat të financuar nga buxheti, si dhe ndërprerjen e plotë të financimit për koncesionin e laboratorëve.

Në listë përfshihen edhe trefishimi i subvencioneve për bujqësinë, 5 miliardë lekë për kompensimin e prodhuesve nga zhvlerësimi i euros dhe nga 1 miliard lekë për dëmet e përmbytjeve në Shkodër e Lezhë. Sipas mediave në Tiranë, dokumentin e nënshkruan në krye kryetari i PD-së, Sali Berisha.

PD-ja kishte paralajmëruar më 17 nëntor se do të votonte kundër projektbuxhetit në parim, duke pretenduar se ai ruan një model ekonomik që favorizon ndërtimin në dëm të bujqësisë dhe prodhimit. Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend më 18 nëntor, e cilësoi buxhetin historik, pasi për herë të parë arrin vlerën e 10 miliardë eurove, dhe njoftoi heqjen e taksës së qarkullimit nga 1 janari.

Mazhoranca socialiste, e cila pas përjashtimit të Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar numëron 81 deputetë, ka shumicën e nevojshme për miratimin e buxhetit.

Burimi:botasot.info