GazetaMax
LIFESTYLE

Si të shmangim infeksionet e veshit në plazh?

Me ardhjen e verës dhe fillimin e sezonit të plazhit, në shërbimin e pediatrisë në QSUT është shtuar edhe numri i pacientëve të vegjël. Veç problemeve me grykët, temperaturën dhe infeksionet e ndryshme karakteristike për këtë sezon, problemet e veshit janë ato që hasen më shpesh.
Juzela Shehu, mjeke ORL pranë shërbimit të pediatrisë në QSUT, tregon se është vapa dhe uji i ndotur në plazhe e pishina që i stimulon më tepër këto probleme, duke bërë thirrje që të kemi kujdes me shmangien e futjes në ujë, përdorimin e tapave apo edhe kapuçëve të notit.
Cilat janë problemet më të shpeshta që hasen në këtë sezon, përsa i përket shëndetit ORL?
Në këtë periudhë veç problemeve me grykët, hundët dhe infeksionet e ndryshme (akute dhe kronike) më frekuente kemi problemet e veshit, tipike për këtë sezon si pasojë e rritjes së temperaturave dhe fillimit të plazhit.
Cilat janë shqetësimet e para që paraqesin këta pacientë?
Simptoma e parë klinike është dhimbja, e cila në varësi të gradës mund të jetë e lehtë deri në dhimbje të forta të padurueshme, duke bërë të nevojshme përdorimin e qetësuesve që jepen zakonisht nga goja, pika në vesh apo edhe antibiotikut.
Si ka ndikuar kjo në shtimin e fluksit të pacientëve?
Është sëmundje karakterisike për sezonin, kështu që pa dyshim kjo përkthehet edhe në shtim të numrit të pacientëve, megjithëse në qendrat spitalore në këtë periudhë normalisht ky numër duhet të bjerë me zhvendosjen e njerëzve në zonat e plazhit.
Si mund të shmangim dhimbjen pa iu drejtuar mjekut specialist?
Nëse fëmija ankon dhimbje, gjëja e parë që prindi duhet të bëjë, është dhënia e qetësuesve, paracetamol ose ibuprofen. Më tej duhet patjetër vizita ORL ku në varësi të gjendjes, mjeku përcakton mjekim ose jo me antibiotik. Ka shumë raste që prindërit paraqiten në farmaci duke i “vetëmjekuar”, mirëpo duhet të marrin parasysh që në këto raste mund të ndodhin komplikacione të ndryshme, që megjithëse nuk kanë rrezikshmëri për jetën, ndikojnë në uljen e dëgjimit, i rikthyeshëm normalisht.
Çfarë duhet të kemi parasysh për t’i shmangur këto komplikacione?
Të evitohet sa më shumë futja e ujit në vesh, veçanërisht për ato fëmijë që kanë prirje për infeksione të veshit ose probleme të membranës së dëgjimit. Kështu që të lahen me kujdes, të mbyllin veshët, të përdorin kapuçët e notit dhe tapat e veshëve sa herë që futen në ujë.
Këshilla?
Kujdes, shmangni sa më shumë ujërat e ndotura në plazh dhe pishina, dhe në rastin më të parë që ndjeni shqetësime, paraqituni tek mjeku. (Elona Tereziu/Shendeti)

Related posts

Si ta luftoni mungesën e vitaminës D gjatë dimrit

e-max

Gresa Behluli shfaqet në të zeza, por kjo gjë s’po i shkon

e-max

A mund të ndalojë vërtet një batanije me peshë një valë të nxehti që prish gjumin?

e-max

Leave a Comment