Kasami në Prizren për 148-vjetorin e Lidhjes Shqiptare: Lidhja është gjallë
Bashkëkryetari i koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në aktivitetet për shënimin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku u mblodhën personalitete politike, përfaqësues institucionalë dhe veprimtarë nga trojet shqiptare. Përmes një postimi publik, Kasami falënderoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për ftesën dhe mikpritjen, duke vlerësuar rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj ngjarjeje. “Në Prizren, me miq e bashkëveprimtarë, shënuam 148-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Falënderoj Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, për ftesën, mikpritjen dhe nderin. Vazhdojmë bashkë, në frymën e kësaj Lidhjeje, e cila është orientim në angazhimin tonë politik. Lidhja është gjallë!”, ka shkruar Kasami. Ai theksoi se idealet dhe vlerat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vazhdojnë të mbeten udhërrëfyes për angazhimin politik dhe përpjekjet për avancimin e interesave kombëtare të shqiptarëve. Në këtë vizitë, Kasami është shoqëruar nga zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, si dhe nga zyrtarë të tjerë të koalicionit VLEN. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e themeluar më 10 qershor 1878, konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare dhe simbol i organizimit politik për mbrojtjen e të drejtave dhe territoreve shqiptare. https://www.facebook.com/KasamiBilall/posts/1570768461085794?ref=embed_post