Ministri Agon Ferati priti Sh.S. Nicole Varns: Fokus te “25 vite dhe përtej”, modernizimi i Ministrisë dhe bashkëpunimi me SHBA-në
Ministri Agon Ferati sot priti në takim ushtruesen e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Sh. S. znj. Nicole Varns. Takimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm për Ministrinë, e cila po punon në përgatitjen e Planit Vjetor, riformatimin strukturor dhe modernizimin institucional. Në takim u diskutua edhe për konceptin “25 vite dhe përtej”, në kuadër të 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, si një platformë që synon të hapë një qasje të re ndaj bashkëjetesës, gjithëpërfshirjes dhe ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve. Ministri theksoi se qëllimi i Ministrisë është i qartë: ndërtimi i një institucioni funksional, gjithëpërfshirës dhe më afër qytetarit. “Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i rëndësishëm jo vetëm për stabilitetin dhe demokracinë, por edhe për forcimin e institucioneve që u shërbejnë qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe të përgjegjshme”, theksoi ministri. Gjatë takimit u riafirmua rëndësia e bashkëpunimit me SHBA-në si partner strategjik i Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në proceset që lidhen me institucionet gjithëpërfshirëse, besimin ndërmjet komuniteteve dhe perspektivën euroatlantike të vendit.