Me mijëra qytetarë janë mbledhur sërish në Tiranë, duke zhvilluar protestën e 11-të radhazi kundër qeverisë dhe klasës politike në vend. Të organizuar si një lëvizje qytetare e pavarur nga partitë politike, protestuesit po marshojnë nga Sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, ku po artikulojnë një sërë kërkesash për ndryshim politik dhe zgjedhje të lira.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me flamuj kombëtarë dhe pankarta, ndërsa gjatë marshimit dëgjohen thirrje si “Rama ik, Berisha ik”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, “Qeveri e krimit”, “Shqipëri e Re”, “Atdheu është i yni” dhe “Atdheu nuk shitet”.
Protestuesit po lëvizin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohen fjalime dhe të paraqiten kërkesat kryesore të tubimit. Në momentin e mbërritjes para Kryeministrisë, pjesëmarrësit këndojnë himnin kombëtar.
Gjatë protestës nuk mungojnë as sloganet ironike dhe kritikat e ashpra ndaj qeverisë. Një nga thirrjet që po tërheq më shumë vëmendje është “Tepsia do kurban! Poshtë qeveria!”, e brohoritur nga protestuesit gjatë marshimit.
Një nga kërkesat kryesore të pjesëmarrësve mbetet krijimi i një qeverie tranzitore, e cila sipas tyre duhet të garantojë organizimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet. Ata argumentojnë se vendi ka nevojë për një shkëputje nga klasa aktuale politike dhe që proceset zgjedhore të administrohen nga një strukturë neutrale dhe teknike.
Ndryshe nga protestat tradicionale me ngjyrim politik, në tubimin e sotëm po artikulohen kritika edhe ndaj opozitës. Pjesëmarrësit kërkojnë që protesta të mos përdoret nga partitë politike dhe të mbetet një lëvizje qytetare e pavarur.
“Larg duart nga protesta”, “Mos e përdorni kauzën tonë për politikë” dhe “Kjo është protestë qytetare” janë disa nga mesazhet që dëgjohen gjatë marshimit.
Lëvizja qytetare e ka zanafillën te kundërshtimi i projektit të parashikuar në Zvërnec, por me kalimin e ditëve është shndërruar në një platformë më të gjerë pakënaqësie ndaj korrupsionit, emigracionit, gjendjes ekonomike dhe mënyrës së qeverisjes së vendit.
Organizatorët u bëjnë thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo provokim, ndërsa theksojnë se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Paralelisht me Tiranën, tubime të ngjashme po zhvillohen edhe në Lezhë, Fushë-Krujë dhe Lushnjë, ku qytetarët po shprehin qëndrime të ngjashme ndaj qeverisë dhe situatës politike në vend.
Në përfundim të protestës, pjesëmarrësit pritet të ritheksojnë kërkesat për ndryshim politik, zgjedhje të lira dhe ndërtimin e asaj që e quajnë “Shqipëria e Re”.
