Goditje ndaj industrisë së bixhozit: Kuvendi miraton masa më të rrepta për kazinotë
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi sonte me 59 vota “pro” dhe 9 “kundër” ndryshimet në Ligjin për Lojërat e Fatit, me të cilat kazinotë nuk do të lejohen të vendosen më afër se 500 metra nga shkollat. Me rregullat e reja ndalohet reklamimi në vitrinat e kazinove, si dhe çdo reklamë që e paraqet lojën e fatit si mënyrë për arritjen e suksesit personal ose për fitime të shpejta. Ndryshimet ligjore parashikojnë që çdo aparat i lojërave të fatit të pajiset me sistem të detyrueshëm GPS, duke mundësuar kontroll të vazhdueshëm nga Drejtoria e të Hyrave Publike. Gjithashtu, licencat nuk do të mund të shumëfishohen, ndërsa vendosen edhe detyrime të reja financiare për hapjen e pikave të pagesës dhe pagesës së fitimeve. Projektligji parashikon edhe rritjen e shumave të garancive bankare, si dhe zbatimin e rekomandimeve të MONEYVAL-it të Këshillit të Evropës për forcimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Sipas pushtetit, këto ndryshime do të sigurojnë kontroll më të madh mbi sektorin e lojërave të fatit, do të zvogëlojnë rrezikun e keqpërdorimeve dhe do të ofrojnë mbrojtje më të madhe për të rinjtë nga ndikimi i lojërave të fatit.