Zëvendësministri i Mbrojtjes Admir Shabani hap konferencën ndërkombëtare për sigurinë: Investimet në dije dhe mbrojtje garantojnë stabilitetin
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, sot në Klubin e Deputetëve në Shkup hapi Konferencën Ndërkombëtare Shkencore me temë “Multipolariteti dhe siguria e qëndrueshme në Evropë”. Në fjalën e tij, Shabani theksoi se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s dhe shtet që kontribuon aktivisht në sigurinë rajonale dhe evropiane, vazhdon të investojë në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, por edhe në zhvillimin e dijes, shkencës dhe potencialit njerëzor. “Si anëtare e NATO-s dhe vend që kontribuon në mënyrë aktive në sigurinë rajonale dhe evropiane, ne vazhdojmë të investojmë në zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, por njëkohësisht edhe në dije, shkencë dhe potencialin njerëzor, si parakushte thelbësore për stabilitet afatgjatë”, deklaroi Shabani. Konferenca ndërkombëtare shkencore organizohet nga Fakulteti Filozofik – Instituti për Siguri, Mbrojtje dhe Studime të Paqes, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes. Në këtë ngjarje marrin pjesë ekspertë dhe studiues nga Turqia, Kroacia, Letonia dhe Serbia, të cilët do të diskutojnë mbi sfidat bashkëkohore të sigurisë dhe perspektivat për një Evropë më të qëndrueshme në kushtet e një rendi gjithnjë e më multipolar.