GazetaMax
BALLINA

Profil: 65 vjet jetë dhe karrierë veprimtari e politikani/Ali Ahmeti, Mocarti i politikës shqiptare!

– Viti 2001 është një kapital i përjetshëm historik i Ali Ahmetit, por lufta nuk mund të jetë kapitali kryesor që lidhet me të, por dhe aftësia e politikanit që di idetë e veta t’i shndërrojë në vepra konkrete. Ndaj sot nuk është për t’u habitur që dy projekte madhore politike, ai i Frontit Evropian(gjegjësisht, procesi i eurointegrimit), si interes jetik i vendit, ka autorësinë e Ali Ahmetit, por që edhe në planin zhvillimor, projekti më i madh infrastrukturor i historisë më të re, Korridori 8 dhe Korridori 10D, mban të njëjtën autorësi.

Shkruan: indeks.mk

Më 4 janar të vitit 1959, nis rrugëtimi jetësor i politikanit të shquar të kohës moderne, Ali Ahmeti. Vetëm një javë para se t’i mbushë 65 vjet, dy media shqiptare me renome, TV Klani dhe portali Albanian post, fundin e vitit e shënuan me një rangim të personaliteteve më të shquara të vitit 2023, ku u gjet lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Për fat, viti i kaluar, kishte personalitete që janë shquar jo vetëm në përmasa kombëtare, por dhe ato ndërkombëtare, që paraqet një kënaqësi të veçantë fakti që ata kanë dalë nga gjiri i popullit tonë. Kemi njerëz të ditur, të aftë, e kreativë, që nga futbolli, shkenca e politika, gjer te fusha e inteligjencës artificiale, për t’u krenuar. Emri i Ali Ahmetit në këtë shoqëri personalitetesh të shquara, për dikë mund të jetë befasi, por për pjesën dërrmuese të publikut shqiptar, është gjë e pritur dhe e natyrshme, duke pasur parasysh gjithë atë që lidhet si aktivitet politik dhe arritje jo vetëm për këto disa dekada si veprimtar për kauzën shqiptare dhe politikan pragmatik, por dhe për arritje konkrete të vitit që lamë pas.
Kur dikujt ia thua faktin se ka një parti dhe një lider i cili 21 vit me radhë nuk di tjetër pos për fitore, mund të kërkojë ndonjë arsye për ta kontestuar me lloj-lloj argumentesh. Por te rasti i Ali Ahmetit ky është jo vetëm një fakt i pamohueshëm, por dhe që ka arsyet logjike pse.

Nëse BDI-së dhe Ali Ahmetit i janë “ngjitur” fitoret një pas një, nuk është vetëm për shkak të meritave të luftës, siç do të mund të kuptohej kjo në vitet e para pas 2002-ës kur zbriti nga Shipkovica dhe u akomodua në Reçicë të Vogël. Viti 2001 vërtet është një kapital i përjetshëm historik i të gjithë atyre që nuk u pajtuan me statuskuonë dhe pabarazinë sistemore që ua përcaktuan partitë politike dhe e Ali Ahmetit në veçanti. Por, lufta nuk mund të jetë kapitali kryesor që lidhet me ish-udhëheqësin e UÇK-së.

RRUGËTIMI NË POLITIKË

Ali Ahmeti nuk ishte krejtësisht anonimus kur doli në vitin 2001 si përfaqësues politik Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, sepse ai kishte të paktën dy dekada që kishte qenë ndër veprimtarët e shquar të Lëvizjes si në vend, si në diasporë e gjer te epopeja e UÇK-së në Kosovë. Dalja e Ali Ahmetit në skenën politike, kuptohet, nuk do të ishte pa kapitalin historik të 2001-shës, jo pse udhëhoqi një ushtri vullnetare që kërkonte ndryshime rrënjësore, po më shumë nga fakti se Marrëveshja e Ohrit që e përmbylli konfliktin, shënoi përnjëmend ndryshimin e statusit kushtetues – juridik të shqiptarëve, në mënyrën që nuk mund të paramendohej 10 vitet e para të pluralizmit politik, pasi kërkesat e tyre hasnin gjithnjë në majorizim të shumicës. Prandaj, gjithçka që dukej e vështirë, si në fushën e arsimit, si në fushën e përfaqësimit dhe të drejtave të tjera, tash u bë më lehtë, sepse kishte një bazë juridike mbi të cilën gjithçka do të mbindërtohej.
Duke pasur këtë kapitull në biografinë e tij, e duke e përdorur kohë pas kohe edhe nga partia e tij, oponentët shpesh do t’ia zënë për të madhe, me vërejtjen se Ali Ahmeti ende jeton mbi meritat e luftës. Por a është kështu se? Sepse, e dimë se përkundër arritjes së Marrëveshjes së Ohrit me konsensus politik e etnik, jetësimi i saj ndër vite dhe nuk ishte aq i lehtë. Barra e implementimi i mbeti pikërisht BDI-së, subjektit i cili u krijua nga bërthama e UÇK-së. Ndaj dhe në vitet që janë kaluar, është vepra tjetër e Ali Ahmetit, ajo e politikanit të shkathtë e me vizion që gjërat nga letra t’i vë në jetë, shpesh duke u ballafaquar me obstrukisone të fshehura ose të hapura, ndonjëherë duke bërë ndonjë kompromis të përkohshëm për t’i zgjidhur çështjet në faza. Rrugës i është dashur edhe të përballet dhe të tejkalojë edhe disa animozitete ndaj tij nga publiku më i gjerë i orientuar armiqësisht për shkak të 2001-shës, për t’u bërë sot edhe nga ai publik politikani më i respektuar.
Rezultatet janë evidente. Sot falë BDI-së dhe Ali Ahmetit, nuk bëhet më fjalë a kanë a po s’kanë të drejtë shqiptarët të kenë universitet, nuk bëhet më fjalë a duhet a s’duhet të përdoret shqipja zi gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet, duhet apo s’duhet të ketë përfaqësim adekuat në administratë dhe në sektorin publik, e as që mund të vijnë në pyetje edhe orientimet gjeostrategjike të vendit.
Ali Ahmeti u tregua jo vetëm politikan i zhdërvjelltë në bashkëpunimin me partitë maqedonase me të cilat ka ndarë pushtetin, por dhe politikan me vizion, i cili, siç kanë thënë shumë analistë, shpesh është disa hapa para të tjerëve. E pikërisht kjo dhe është një nga arsyet që TV Klan dhe Albanianpost e kanë shpallur politikan të vitit 2023, sepse vitin e përmbylli me një realizim të një premtimi që të gjithë e kanë shikuar me skepticizëm: 2024-ta do të jetë viti i kryeministrit shqiptar. S’është vetëm kjo, por pa këtë kapital, nuk mund të kalojmë mëtutje.

DISA HAPA PARA TË TJERËVE

Kur në fushatën zgjedhore të vitit 2019 BDI doli me “projektin” e Kryeministrit Shqiptar, sigurisht se të gjithë kanë luajtur kokën me dyshim “çfarë përrallash po na shet?!”, një mashtrim për të marrë vota, ose, një demagogji çfarë partitë dinë t’ia servirin elektoratit. Edhe ajo fjalia e famshme e Ali Ahmetit “Jo që besoj, por dhe do të bëhet”, do të ketë hasur prapë në mosbesim, por fill pas zgjedhjeve, kur krijohej qeveria e re, doli në shesh se Ali Ahmeti e kishte menduar mirë, se ato nuk kishin qenë fjalë në erë për të mashtruar elektoratin, por për ta bërë vërtetë të mundur që një shqiptar të udhëheqë qeverinë e vendit tonë tre muajve(por jo vetëm tre muajt)e fundit të mandatit të koalicionit qeveritar. Kjo marrëveshje u bë e njohur dhe e pranueshme për partnerët e koalicionit atëherë, dhe tash e një muaj më vonë, edhe do të ketë një emër të përveçëm në krye të Qeverisë, Talat Xhaferi.

Në këtë mënyrë, Ali Ahmeti po thyen edhe klishetë e pashkruara që e kanë rënduar jetën politike, e që ende disa subjekte vazhdojnë të jenë të ngarkuar me to, duke e trajtuar si herezi që në krye të institucioneve më të larta të shtetit, të vijë ndonjë shqiptar. Por, gjersa ata jetojnë të robëruar në mendësitë e egoizmit dhe etnocentrizmit, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut është po ai që nesër do të jetë dhe kryeministër.(Këtu Talat Xhaferi po hyn dyfish në historinë e vendit!). Të mos harrojmë edhe faktin tjetër, që Ali Ahmeti kaherë e kishte propaguar idenë e “presidentit konsensual” dhe e theu edhe këtë klishe në zgjedhjet e kaluara presidenciale, duke i qëndruar dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhjen e Stevo Pendarovskit si kandidat të përbashkët shqiptaro-maqedonas, diç që nuk mund të paramendohej më parë që një parti shqiptare ta përkrahë një kandidat maqedonas.

Nga të gjitha këto lëvizje politike vizionare të Ali Ahmetit, po ndryshon klima politike, po shuhen acarimet ndëretnike, po shtohet harmonia shoqërore dhe po krijohen mundësi të reja për politika zhvillimore dhe të integrimeve euroatlantike. Shkathtësia e Ali Ahmetit, të cilin ia pranojnë edhe ata që nuk iu pëlqen si profil politik, është edhe te “rekrutimi” i kuadrove më të afta nga radhët e partisë së tij, duke iu dhënë detyra me përgjegjësi më të lartë, e të cilët, siç po shohim, po i kryejnë me sukses. Ky përfaqësim dinjitoz sot lidhet edhe me Zëvendëskryeministrin e Parë(një post që më parë nuk ka ekzistuar), i cili ka “nënshkrim të lidhur” me kryeministrin, që i jep peshë përfaqësimit politik dhe etnik. Financat janë në duart e një ministri shqiptar, sikundër në këto dy mandatet e fundit, eurointegrimet dhe politika e jashtme kanë qenë të udhëhequra nga një kuadër i tij. Kjo s’do të ishte e mundur sikur të mos vinte në shprehje vizionariteti i Ali Ahmetit, i cili me tërheqjen e votuesve, së pari arriti të rritë shkallën e përfaqësimit në Parlament, e pastaj edhe në qeveri, e gjer në eshalonët më të ulët, duke mos u kënaqur pra vetëm me “sasinë”, por dhe me cilësinë e punës së tyre.

Ndaj sot nuk është për t’u habitur që dy projekte madhore politike, ai i Frontit Evropian(gjegjësisht, procesi i eurointegrimit), si interes jetik i vendit, ka autorësinë e Ali Ahmetit, por që edhe në planin zhvillimor, projekti më i madh infrastrukturor i historisë më të re, Korridori 8 dhe Korridori 10D, mban të njëjtën autorësi.

Edhe nëse oponentët nuk e pëlqejnë Ali Ahmetin si konkurrent për shkak se nuk mund ta arrijnë popullaritetin e tij, duhet përpiqen të paktën të mësojnë diçka prej tij, sepse respekti i tij si në vend, si në përmasa kombëtare e ndërkombëtare, është arritur me vepra konkrete. Është si një Mocart i cili sajon nota dhe i interpreton në mënyrë brilante. Kur këtij virtuozi e kanë vështirë t’i bëjnë ballë në konkurrencë të shëndoshë, disa oponentë zgjedhin rrugën pragmatike: që t’i bashkangjiten. Kjo është edhe një vlerë e Ali Ahmetit.

Related posts

Gazetarët Pa Kufij: Shqipëria pëson rënie, Kosova përmirësim në Treguesin e Lirisë së Shtypit

e-max

Osmani- Rama: Do e bëjmë Evropë!

e-max

Ndryshimet kushtetuese midis optimizimit të pushtetit dhe vullnetiti politik të opozitës!

e-max