Hoxha dhe Solström për vizitë në Parkun Kombëtar Pelister: MMJPH mbetet e përkushtuar ndaj përpjekjeve për mbrojtjen afatgjatë të trashëgimisë natyrore
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha dhe zëvendësministrja Ane Lashkoska, sot realizuan vizitë në Parkun Kombëtar Pelister, së bashku me ambasadorin e Suedisë, Ola Solström. Gjatë vizitës, drejtori i PK Pelister, Ivanço Toshevski, informoi për aktivitetet që po zbatohen për mbrojtjen e vlerave natyrore të parkut më të vjetër kombëtar në vend. Theks i veçantë iu kushtua ruajtjes dhe rigjenerimit të pyjeve të molikës – një lloj endemik dhe një nga simbolet më të njohura të Pelisterit. Ministri Hoxha e përshëndeti iniciativën e PK Pelister për zbatimin e qasjeve bashkëkohore në menaxhimin dhe mbrojtjen e ekosistemeve pyjore dhe konfirmoi mbështetjen e Ministrisë për avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve të parkut. Në këtë drejtim, Hoxha paralajmëroi mbështetje shtesë për Parkun Kombëtar Pelister, përmes investimit në një objekt bashkëkohor për zbulimin e hershëm dhe monitorimin e zjarreve pyjore. MMJPH mbetet e përkushtuar ndaj përpjekjeve për mbrojtjen afatgjatë të trashëgimisë natyrore dhe përballimin e pasojave të ndryshimeve klimatike.